I akuzuar për plagjiaturë dhe mes polemikash, gjendet i vdekur Jason Arday
Jason Arday, 41 vjec, një ish-profesor i sociologjisë së arsimit në Universitetin e Cambridge-t, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në Battersea, Londër.
Policia britanike tha se ai u gjet pa ndjenja dhe se vdekja po trajtohej si e papritur, por jo e dyshimtë.
Arday dha dorëheqjen nga pozicioni i profesorit javën e kaluar pas javësh polemikash dhe akuzash për plagjiaturë në pjesë të punës së tij akademike. Ai mohoi plagjiaturën, por pranoi disa gabime në punimet e mëparshme. Disertacioni i tij i doktoraturës ishte më parë objekt i një hetimi nga Universiteti Liverpool John Moores, i cili arriti në përfundimin se ai nuk kishte plagjiatuar punën e askujt tjetër.
Përpara dorëheqjes së tij, Arday tha se muaj të tërë vëmendjeje publike, akuzash dhe presioni kishin dëmtuar rëndë gjendjen e tij mendore dhe se “kostoja personale” e polemikave ishte bërë shumë e madhe.
Familja e tij tha se ishin “të shokuar” nga vdekja e tij, duke thënë se Arday ishte një baba, partner, vëlla, xhaxha dhe bir i kujdesshëm. Familja tha gjithashtu se fushata e dezinformimit kundër tij ishte “shumë e madhe”.
Cambridge shprehu hidhërim të thellë për vdekjen e tij, ndërsa universiteti kishte nisur më parë një hetim të pavarur mbi rrethanat e emërimit të tij.
Në vitin 2023, në moshën 37 vjeç, Arday u bë profesori më i ri me ngjyrë në historinë e Cambridge-t. Emërimi i tij u paraqit në atë kohë si një moment i rëndësishëm për përfaqësimin e akademikëve me ngjyrë në arsimin e lartë britanik.
Përpara karrierës së tij akademike, ai punoi si mësues i edukimit fizik. Ai ishte gjithashtu profesor në universitetet e Glasgout dhe Durhamit.
Vdekja e tij shkaktoi reagime nga kolegë të shumtë dhe figura publike, të cilët paralajmëruan për pasojat e presionit të madh publik dhe mediatik ndaj të cilit ai ishte i ekspozuar, raportoi BBC. /tesheshi.

