Shqipëria, Gjermania dhe Franca nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit financiar që do të kontribuojë në fazën e dytë të mbështetjes së sektorit elektroenergjetik shqiptar.
Zëvendësministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha në fjalën e saj se “sot jemi për të nënshkruar një marrëveshje financiare që do të kontribuojë në fazën e dytë të mbështetjes së sektorit elektroenergjetik shqiptar, i cili në vitin e fundit është përballur me krizën ekonomike, e cila erdhi edhe nga kriza energjetike duke pasur parasysh agresionin rus në Ukrainë në vitin 2022 dhe duke pasur parasysh që Shqipëria prodhon 100% energji të rinovueshme , por nga ana tjetër është në varësi të hidrocentraleve”.
“Na është dashur vitin e kaluar të importojmë sasi të rëndësishme për të mos pasur ndërprerje të energjisë për gjithë abonentët tanë , ndaj kemi qenë të ekspozuar ndaj çmimeve të çmendura të tregut elektroenergjetik mbarë botërorë”, tha Balluku.
Ministrja Balluku u shpreh se “ky takim i sotëm është një moment i mirë dhe për të reflektuar bërë një bilanc real të reformës të sektorit elektroenergjetik shqiptarë, që me mbështetjen e Gjermanisë dhe Francës përmes institucioneve të tyre financiare këtu në vendin tonë KFW dhe AFD, por edhe me mbështetjen e të gjithë përpjekjet e ambasadorëve të Gjermanisë e Francës ka pësuar një transformim rrënjësor vitet e fundit”.
“Kjo reformë i ka hapur rrugë zbatimit të politikave dhe projekteve të reja, të cilat do t’i quaja inovative në fushën e energjisë së rinovueshme, eficiencës së energjisë dhe rimodelimti të tregut të brendshëm vendas. Reforma në sektorin elektroenergjetik ka qenë një ndër më sfidueset. Ndihma e partnerëve të huaj ka qenë vyer dhe jo pa qëllim për realizmin e kësaj reforme u zgjodh instrumenti i huamarrjes bazuar në politika”, tha Balluku.
Sipas saj, një ndër objektivat kryesore të reformës ka qenë ndarja e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Më tej Balluku tha se “bursa energjetike shqiptare do të jetë një garantues i zhvillimit energjetik dhe sigurisht tregtimit të lirë, transparent e të drejtë të energjisë elektrike në Shqipëri”.
“Sot ALPEX numëron 9 operatorë të regjistruar si anëtarë të bursës, ndërkohë që 16 operatorë janë në fazën e vlerësimit dhe 4 institucione bankare kanë shprehur interes për t’u anëtarësuar”, tha Balluku.
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike, vijoi Balluku, ka qenë një tjetër kërkesë kryesore e partnerëve në bazë të direktivave europiane, por edhe marrëveshjes për reformën e sektorit.
Ministrja Balluku theksoi se “duke filluar nga 1 janari 2021 të gjithë konsumatorët e lidhur në 35 kV, por edhe një pjesë e atyre të lidhur në 20 kV kanë dalë e furnizohen në tregun e lirë. Gjithashtu edhe konsumatorët e lidhur në tensionin e mesëm janë njoftuar për daljen e tyre në tregun e lirë në janar 2022”.
Balluku bëri të ditur gjithashtu se “në ankandin e parë të prodhimit eolikë kanë marrë pjesë 16 kompani të huaja , 6 prej të cilave janë kualifikuar në fazën e dytë atë të ofertës financiare. Nesër do të kemi hapjen e 6 zarfet ku do të kemi fituesin e ankandit të parë eolikë në Shqipëri”.
“Kemi pasur interes nga investitorë vendas e të huaj për të zhvilluar projekte fotovolatike private me fonde të financuara nga banka të ndryshme dhe për shitje të energjisë në tregun e lirë. Për vitin 2022 sasia e aplikimeve në total arrin në 1.7 gigavat “, tha Balluku.
Ministrja Balluku tha se “besoj se faza e dytë e kësaj reforme do të jetë një optimalizim i asaj që kemi nisur për ta kthyer sektorin elektroenergjetik shqiptar në një sektor që përmbush kriteret e kushtet e operimit të BE-së”.