Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se departamentet kompetente të ministrisë kanë ndaluar dy persona nga Haraçina e Shkupit dhe kanë parandaluar transportin e rreth 35 kilogramë drogë, transmeton Anadolu.
Ministria njofton se në pikë pagesën në Tetovë, në magjistralen Gostivar-Tetovë, zyrtarët policorë i kanë dhënë shenjë ndalimi një automjeti të pasagjerëve ‘Range Rover’, por dy personat në automjet, të dy nga fshati Haraçinë, nuk i janë bindur urdhrit për ndalimin e mjetit.
Pasi janë larguar me vrap duke dëmtuar edhe një automjet zyrtar të policisë, dy personat shumë shpejtë janë ndaluar dhe privuar nga lira.
“Gjatë kontrollit në bagazhin e mjetit janë gjetur katër thasë me marijuanë, me peshë totale rreth 35 kilogramë, me vlerë rreth 100 mijë euro”, njoftoi ministria, duke theksuar se në pikë pagesën në Tetovë kanë dalë autoritetet për të kryer hetimet.
Pak më vonë, thuhet më tej, me urdhër nga gjykata janë kryer bastisje edhe në shtëpitë e dy personave në fshatin Haraçinë, ku janë zbuluar sende të lidhura me veprën penale.
Autoritetet njoftojnë se dy personat janë ndaluar në Sektorin për Punë të Brendshme – Tetovë dhe kundër tyre gjatë ditës do të parashtrohet kallëzim penal për “prodhim të pa autorizuar dhe vendosje në treg të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve”.