Kompania turke e mbrojtjes Baykar dhe kompania italiane Leonardo pritet të prezantojnë përparimet më të fundit në bashkëpunimin e tyre për integrimin e mjeteve ajrore me pilot dhe pa pilot (MUM-T) në Panairin Ndërkombëtar Ajror të Farnborough, duke theksuar zhvillimet në aftësitë e luftimit ajror të së ardhmes, transmeton Anadolu.
Dy kompanitë do të zhvillojnë një prezantim nesër në një nga ekspozitat më të rëndësishme në botë të industrisë së hapësirës ajrore dhe mbrojtjes, e cila hapet në Mbretërinë e Bashkuar.
Sesioni do të përqendrohet në testimet e zhvilluara në Turqi për bashkëpunimin mes avionëve me pilot dhe atyre pa pilot, duke përdorur avionin stërvitor të avancuar M-346 të Leonardos dhe avionin luftarak pa pilot Bayraktar KIZILELMA të Baykarit.
Teksa programi hyn në fazën e ardhshme, kompanitë do të ndajnë gjetjet kryesore nga testimet dhe do të paraqesin aktivitetet e planifikuara për periudhën e ardhshme.
Baykar do të ekspozojë gjithashtu mjetin ajror pa pilot Bayraktar TB3 në panair. I projektuar për të operuar nga platforma me pista të shkurtra, TB3 është bërë një nga platformat kryesore që mbështet synimet e LBA Systems për zgjerim në tregun evropian.
Ekspozimi i Bayraktar TB3 pritet të tregojë se bashkëpunimi mes kompanive shkon përtej testimeve eksperimentale dhe mbështetet nga platforma të pjekura, pranë prodhimit serik, në fushën e sistemeve ajrore pa pilot.
Zgjedhja e Farnborough-t, një nga ekspozitat më prestigjioze të industrisë ajrore në botë, si vendi për këto njoftime, mbart gjithashtu një mesazh strategjik për industrinë globale të mbrojtjes dhe aleatët e NATO-s.
Partneriteti konsiderohet një komponent i rëndësishëm i përpjekjeve të Evropës për të rritur me shpejtësi aftësitë në sistemet ajrore pa pilot dhe bashkëpunimin mes mjeteve me pilot dhe pa pilot. Prezantimi në Farnborough do t’u mundësojë kompanive të shfaqin përparimin konkret drejtpërdrejt para përfaqësuesve të industrisë dhe klientëve potencialë.
– Partneriteti bashkon aftësi plotësuese
Partneriteti mes kompanive Baykar dhe Leonardo nisi me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi në Romë në mars të vitit 2025. Kompanitë e zyrtarizuan bashkëpunimin duke nënshkruar marrëveshjen për krijimin e sipërmarrjes së përbashkët LBA Systems në Panairin Ajror të Parisit në qershor 2025.
Me seli në Itali dhe me pronësi të barabartë nga të dyja kompanitë, LBA Systems fokusohet në projektimin, zhvillimin, prodhimin dhe mbështetjen e sistemeve ajrore pa pilot.
Partnerët synojnë që kjo sipërmarrje të luajë një rol udhëheqës në formësimin e së ardhmes së aviacionit pa pilot.
Në kuadër të bashkëpunimit, Baykar sjell ekspertizën e saj në projektimin dhe zhvillimin e platformave të avancuara pa pilot, ndërsa Leonardo ofron sisteme elektronike të avancuara dhe ngarkesa misioni, mbështet zhvillimin e aftësive të bashkëpunimit mes mjeteve me pilot dhe pa pilot, si dhe teknologjive të tufëzimit, duke kontribuar edhe në proceset e kualifikimit dhe certifikimit.

