Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet anëtare do të japin 307 miliardë euro mbështetje për bujqësinë në periudhën 2023-2027.
Komisioni Evropian (KE) ka njoftuar se politika e re e përbashkët bujqësore do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2023.
Duke përmendur se KE-ja ka miratuar planet strategjike bujqësore të të gjitha vendeve anëtare në deklaratë thuhet se “një total prej 264 miliardë eurosh në financim të BE-së do të mbështesë fermerët evropianë në tranzicionin drejt një sektori bujqësor të qëndrueshëm dhe të fuqishëm dhe do të ndihmojë në ruajtjen e vitalitetit dhe diversitetit të zonave rurale”.
Vendet anëtare do të ofrojnë bashkëfinancim dhe mbështetje plotësuese për bujqësinë ndërsa buxheti total publik i ndarë për fermerët dhe komunitetet rurale për periudhën 2023-2027 do të jetë 307 miliardë euro.
Në kuadër të pagesave direkte, fermerëve të kualifikuar do t’u jepen çdo vit 20 miliardë euro mbështetje të të ardhurave bazë. Mbështetje më te madhe për të ardhurat do të kenë fermat e vogla dhe të mesme ndërsa do të rritet mbështetja për ata që mbjellin produkte me përmbajtje proteinash.
Më tej thuhet se 98 miliardë euro nga fondet e politikës bujqësore do të ndahen për klimën, ujin, tokën, ajrin, biodiversitetin dhe mirëqenien e kafshëve.
Mbështetje e veçantë do t’u ofrohet fermerëve të rinj
Do të ofrohet mbështetje e posaçme për fermerët e rinj dhe se atyre do t’u vihen në dispozicion 8.5 miliardë euro shpenzime publike për shfrytëzimin e tyre në vitin e parë të funksionimit.
Politika e re bujqësore që do të hyjë në fuqi në vitin 2023, përfshin forcimin e biodiversitetit dhe kthimin e fermerëve drejt praktikave miqësore me klimën dhe mjedisit.
Vendet anëtare do të ndajnë të paktën 35 për qind të buxhetit të zhvillimit rural dhe të paktën 25 për qind të pagesave direkte për masat miqësore ndaj mjedisit dhe klimës.
Të paktën 10 për qind e pagesave direkte do të përdoren për të mbështetur prodhuesit e vegjël dhe të mesëm. Një fond krizash prej 450 milionë eurosh do të krijohet për t’u përdorur në raste urgjente si çekuilibrat e çmimeve apo tregut.
Rreth një e treta e buxhetit të BE-së i kushtohet politikës bujqësore dhe mbështetjes në këtë fushë. /atsh