Bashkimi Evropian (BE) dënoi sulmet në veri të Kosovës dhe bëri thirrje për uljen e tensioneve për hapjen e rrugës së anëtarësimit të dy vendeve në BE, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne sigurisht dënojmë gjithë dhunën dhe sulmet që kanë ndodhur në Kosovë”, tha Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian.
Duke bërë thirrje për uljen e tensioneve, Stano theksoi se kjo është e nevojshme mbi të gjitha për të mirën e popullatës vendase.
Ai theksoi se Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Forca e NATO-s në Kosovë (KFOR) janë aty për të garantuar sigurinë në terren, duke shtuar se ata vazhdojnë të patrullojnë dhe monitorojnë situatën.
Duke thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për anëtarësimin e të dyja vendeve në BE, Stano deklaroi se në Samitin BE-Ballkani Perëndimor të mbajtur në Tiranë ditë më parë është bërë disa herë thirrje për këtë çështje.
Ndryshe, Policia e Kosovës konfirmoi se më 6 dhjetor ka pasur disa incidente në kohën kur zyrtarët policorë po i shoqëronin autoritetet zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok të cilët kishin shkuar atje për fazën përgatitore para mbajtjes së zgjedhjeve të 18 dhjetorit në katër komunat veriore. Në incidenet e regjistruara janë përdorur shok-bomba, granata dore dhe armë zjarri, të cilat rezultuan pa incidente në njerëz por me demolim të zyrave të komisionit komunal zgjedhor.
Pas kësaj situate dhe pas disa shpërthimeve të dëgjuara në këtë pjesë, Policia e Kosovës shtoi praninë e pjesëtarëve të saj në veri, gjë e cila ngjalli edhe reagimin e Beogradit zyrtar, i cili tha se po shqyrtojnë dërgimin e forcave të tyre të sigurisë në Kosovë.