RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BE-ja riafirmon përkushtimin ndaj “sovranitetit kombëtar” pas deklaratave të Trumpit për Grenlandën

be-ja-riafirmon-perkushtimin-ndaj-“sovranitetit-kombetar”-pas-deklaratave-te-trumpit-per-grenlanden

Bashkimi Evropian (BE) riafirmoi përkushtimin e tij për respektimin e parimeve të sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, në përgjigje të deklaratave të fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, lidhur me nevojën për Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare, raporton Anadolu.

“BE-ja do të vazhdojë të mbrojë parimet e sovranitetit kombëtar, integritetit territorial, paprekshmërisë së kufijve dhe Kartës së OKB-së. Këto janë parime universale dhe ne nuk do të ndalemi së mbrojturi ato, veçanërisht kur vihet në pikëpyetje integriteti territorial i një shteti anëtar të Bashkimit Evropian”, u tha gazetarëve në Bruksel zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper.

Hipper riafirmoi gjithashtu solidaritetin e BE-së me Danimarkën dhe Grenlandën, duke theksuar se Grenlanda, territor autonom brenda Mbretërisë së Danimarkës, ka të drejtën të përcaktojë çdo ndryshim të statusit të saj së bashku me Danimarkën.

“Presim që të gjithë partnerët tanë të respektojnë sovranitetin dhe integritetin territorial dhe të zbatojnë angazhimet ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Një tjetër zëdhënëse e Komisionit Evropian, Paula Pinho, theksoi se Grenlanda është aleate e NATO-s dhe partnere e SHBA-së.

“Kjo është një dallim shumë, shumë i madh. Prandaj ne qëndrojmë plotësisht në krah të Grenlandës dhe në asnjë mënyrë nuk shohim një krahasim të mundshëm me atë që ndodhi”, tha ajo, duke iu referuar veprimit të fundit ushtarak të SHBA-së në Venezuelë.

Pinho përsëriti gjithashtu deklaratat e kryeministrit të Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, se ishulli “nuk do të jetë një pronë që mund të blihet nga kushdo”.

Deklaratat erdhën një ditë pasi Trump tha se SHBA-ja ka nevojë për Grenlandën për arsye të sigurisë kombëtare, duke përmendur atë që ai e përshkroi si rritje të pranisë ruse dhe kineze rreth ishullit me rëndësi strategjike.

Ai gjithashtu argumentoi se kontrolli amerikan mbi territorin autonom danez të Grenlandës do t’u shërbente interesave më të gjera perëndimore, duke shtuar se BE-ja “ka nevojë që ne ta kemi atë” nga këndvështrimi i sigurisë.

Related posts

Ministria e Tregtisë e vendos çmimin e ri për derivate, disa naftëtarë nuk po e përfillin vendimin

admin

Kiev – Vritet gazetari që raportonte tmerrin e konfliktit në Ukrainë

Muhamet Ramadani

Izraeli rrëzon tre dronë të dërguara nga Hezbollahu

admin