Bashkimi Evropian (BE) njoftoi se janë të shqetësuar nga dhuna në rritje pas bastisjes që ushtarët izraelitë kryen në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Zyra e BE-së për Territoret Palestineze, nga llogaria e saj në median sociale në Twitter bëri një postim pas bastisjes së forcave izraelite në Jenin.
Në deklaratë shprehet keqardhje për humbjet e jetëve ndërsa thuhet se janë të shqetësuar nga dhuna e ushtarëve izraelitë në Jenin e cila ka shkaktuar vdekjen e disa palestinezëve dhe plagosjen e mbi 40 të tjerëve.
Më tej në postim u bëhet thirrje të gjitha palëve të tregojnë kujdes maksimal për të mos përdorur “forcë vdekjeprurëse” dhe të mos përjetohen humbje jete. Vihet në dukje se situata në Bregun Perëndimor është jashtëzakonisht e ndjeshme dhe se duhet distancim nga përshkallëzimi i tensioneve dhe është e nevojshme që dhuna të ndalet menjëherë.
– Çfarë ka ndodhur?
Katër palestinezë u vranë dhe 44 të tjerë u plagosën gjatë bastisjes së ushtarëve izraelitë në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Forcat izraelite shpesh kryejnë arrestime në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.
Kjo është arsyeja pse ndodhin incidente mes ushtarëve izraelitë dhe palestinezëve, banorëve të rajonit të cilët reagojnë ndaj bastisjeve të ushtrisë izraelite.
Kampi i refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar ku ndodhen intensivisht grupet e armatosura të rezistencës palestineze, herë pas here janë skenë e përleshjeve të armatosura gjatë bastisjeve të ushtarëve izraelitë.

