Komisioni Evropian po punon për një plan veprimi për të menaxhuar flukset migratore në Mesdheun Lindor, në mënyrë të ngjashme me çfarë është bërë për Mesdheun Qendror dhe do ta prezantojë së shpejti, tha një burim i njohur me dosjen.
Ministrat e Bashkimit Evropian të ngarkuar për Migracionin do të takohen sot në Bruksel, pas kërkesës së Italisë dhe Francës, që janë në mosmarrëveshje se kush ishte përgjegjës për marrjen e emigrantëve të shpëtuar në brigjet italiane nga një anije kërkimi dhe shpëtimi e drejtuar nga një OJQ.
Roma refuzoi të lejonte zbarkimin e anijes, duke thënë se vendet e tjera duhet të ndërhyjnë.
Sipas ligjit të BE-së, vendi ku një emigrant arrin për herë të parë është përgjegjës për pritjen e personit dhe trajtimin e kërkesave për azil, një politikë që shpesh çon në mosmarrëveshje ndërmjet vendeve anëtare.
”Mbi 94 000 emigrantë kanë mbërritur në Itali deri më tani në vitin 2022 duke kaluar detin Mesdhe, krahasuar me mbi 67 000 në vitin 2021”, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).
Afro 24 000 migrantë kanë mbërritur në Kroaci në vitin 2022 krahasuar me mbi 17 000 në vitin 2021, sipas shifrave të IOM-it. /atsh