RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Begaj: Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbrojtje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës

begaj:-shqiperia-do-te-vijoje-te-jete-nje-ze-i-forte-ne-mbrojtje-te-shqiptareve-ne-luginen-e-presheves

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbrojtje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, transmeton Anadolu.

Presidenti Begaj ka pritur sot në një takim kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ku në rrjetet sociale ai ka theksuar se kanë patur në fokus të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe sfidat me të cilat përballen.

“Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbrojtje të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, ka theksuar Begaj.

Ndërkohë, në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se biseda u fokusua në çështjet që shqetësojnë shqiptarët e Preshevës, mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore që u takojnë, si edhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik të tyre.

“Do të vijoj të bëj prezent në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe në të gjitha takimet e mia me partnerët shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në mbrojtje të të drejtave të tyre”, është shprehur Begaj.

Sipas njoftimit, në takim u theksua angazhimi i Shqipërisë “në betejën kundër pasivizimit të adresave të shqiptarëve që jetojnë në Serbi”, e cila sipas Presidencës së Shqipërisë “sjellë mohimin e të drejtave themelore të tyre, nga e drejta e votës, deri te kujdesi shëndetësor, arsimimi dhe përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet e vendit ku jetojnë”.

“Kreu i Shtetit përgëzoi gjithashtu futjen në progres raportin e Bashkimit Evropian të problematikave në Luginë, përpjekjet për dërgimin e çështjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe pranimin e padisë nga ky organizëm për pasivizimin e adresave, si një hap i rëndësishëm drejt vendosjes së drejtësisë mbi respektimin e të drejtave themelore të qytetarëve shqiptarë në Serbi. Po ashtu, Presidenti i Republikës vlerësoi sensibilizimin që po i bëjnë kësaj çështjeje ligjvënësit amerikanë, të cilët po kërkojnë shqyrtimin e këtyre shqetësimeve nga DASH”, thekson njoftimi.

Related posts

Agjencitë e zbulimit: Irani përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj ekipit të ish-Presidentit Trump

admin

Turqia do të avancojë “shpejt” projektet e mbrojtjes dhe do të forcojë bashkëpunimin në mbrojtje me aleatët evropianë

Muhamet Ramadani

Përmbytjet shkaktuan mijëra viktima dhe dëme të mëdha, OKB apelon për më shumë ndihmë për të prekurit në Libi

admin