RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BeH, arkivolet me mbetjet mortore të boshnjakëve të vrarë të Kotor Varoshit nisen nga Visoko

beh,-arkivolet-me-mbetjet-mortore-te-boshnjakeve-te-vrare-te-kotor-varoshit-nisen-nga-visoko

Automjetet me arkivolet e 8 boshnjakëve të Kotor Varoshit, viktima të luftës së fundit, të cilët do të varrosen më 3 nëntor në qytezën Veçiqi në Kotor Varosh, janë përcjellë mëngjesin e sotëm nga ambientet e Ndërmarrjes Publike Komunale Varrezat e Qytetit Visoko në Bosnjë e Hercegovinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Para largimit të tyre, familjarët e viktimave nderuan të dashurit e tyre duke vendosur lule dhe duke u lutur për ta.

Viktimat që do të varrosen këtë vit në Veçiqi u vranë në vitin 1992 dhe eshtrat e tyre u zhvarrosën në lokalitetin Plitska afër Kotor-Varoshit nga varret masive që u zbuluan në vitet 2002 dhe 2004.

Përjashtim bëjnë eshtrat e Raif Alagiç-it, të cilat u zhvarrosën në vitin 2020 në Duboka.

Kryetarja e Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve, Luftëtarëve të rënë dhe Personave të Zhdukur “Vrbanja” Kotor Varosh, Munevera Avdiç deklaroi se 7 viktimat e sotme janë nga një grup prej 161 të zhdukurve brenda një dite.

“Analiza e ADN-së vërtetoi identitetin e tyre. Familjet i identifikuan. Mirëpo, atëherë nuk i morën, sepse ishin pjesë të vogla të trupit, kocka. Me kalimin e kohës, humbet shpresa se do të gjendet diçka më shumë. Atëherë më mirë është të pranohet çfarëdo qoftë për të ditur se të paktën ka një varr dhe të kthehet identiteti i viktimave”, tha Avdiç.

Siç tha ajo, tmerret e luftës në Kotor Varosh kanë filluar që në vitin 1991, kur nisën vuajtjet, arrestimet, vrasjet, përdhunimet, dëbimet…

“Këta persona për herë të fundit janë parë më 3 nëntor në shkollën fillore ‘Grabovica’ dhe që atëherë u humben të gjitha gjurmët. Janë kryer krime të shumta. Njerëzit u mbuluan. Ka pasur varre parësore dhe dytësore. Jemi ende në kërkim të 235 boshnjakëve dhe 17 kroatëve. Deri më tani janë varrosur 114 boshnjakë dhe 40 kroatë”, tha Avdiç.

Fahida Ibriçiç, e cila humbi dhëndrin e saj Rifet Berbiç në vitin 1992, kujton ditën kur burri i vajzës së saj u kap në Duboka dhe u dërgua në Grabovicë.

“Që atëherë i ka humbur çdo gjurmë. I gjetën në Plitska, sa pak eshtra janë. Që atëherë nuk dimë asgjë. Kam edhe një vëlla që ende nuk është gjetur”, tha Ibriçiq.

Gruaja e viktimës Rifet Berbiç, Fikreta, ishte 20-vjeç kur burri i saj u largua. Ajo erdhi për t’i dhënë lamtumirën e fundit të shoqit me djalin dhe nipërit e saj.

“Të gjithë po vuajmë, tash e më shumë se 30 vjet presim raporte. U gjet diçka e vogël. Atë mbrëmje, kur ata u larguan, kudo ishte panik. Për gjashtë muaj na granatuan, na vranë me gjithçka. Njerëzit e thjeshtë u qëlluan me granata. Ne ishim nën tokë për gjashtë muaj. Mbretëronte paniku, atje në Vërbanjci, të gjithë ata që u dorëzuan u kapën. Ata vranë të gjithë burrat. Fshati Veçiqi mbeti i vetëm. U nisën drejt Travnikut, drejt territorit tonë. Ne, gra dhe fëmijë ishim në autobusë. Atje lart, në fshatin Çirkino Bërdo i përdhunuan vajzat”, kujton Fikreta, e cila iku me familjen në Kroaci, nga ku pas tre vitesh shkuan në SHBA.

Viktima më e re që do të varroset këtë vit është Kemo (Kasim) Ramiç, i lindur në vitin 1970. Ai ishte 22-vjeç kur u vra ndërsa eshtrat e tij u gjetën në vitin 2002 në lokalitetin Plitska. Së bashku me të prehjen do ta gjejë edhe vëllai i tij i madh Rexho, i cili ishte 23-vjeç kur u vra. Viktima më e vjetër që do të varroset është Sherif (Sulejmana) Beculiç, i cili ishte 37 vjeç në kohën e vdekjes së tij.

Në Veçiq do të varrosen edhe Mujo (Alaga) Alagiç i lindur më 1962 në Veçiq, Raif (Ramadan) Alagiç i lindur në vitin 1966 në Veçiq, Rifet (Mujo) Berbiç i lindur në vitin 1962 në Veçiq dhe Senad (Dervish) Shkoriç i lindur në vitin 1965 në Banja Llukë. Në përputhje me dëshirën e familjes së tij, Shefik (Ale) Pashiç, i lindur në vitin 1960 në Hërvaçan, do të varroset në vendlindjen e tij.

Gjatë vitit 1992, disa qindra civilë boshnjakë dhe kroatë u vranë në zonën e komunës së Kotor Varoshit.

Për krime lufte kundër popullatës boshnjake dhe kroate të Kotor Varoshit, 9 ish-anëtarë të autoriteteve ushtarake dhe civile të Republikës Sërpska janë duke u gjykuar para Gjykatës së BeH-së, në rastet “Boshko Peuliç dhe të tjerët” dhe “Savo Tepiç dhe të tjerët”.

Related posts

Këto janë punët më të paguara në Gjermani

Muhamet Ramadani

Arabia Saudite përdor dronë dhe inteligjencë artificiale për të rritur sigurinë gjatë Haxhit 2026

Kushtrim Guraj

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë/ Kurti tjetër videomesazh qytetarëve: Duke votuar bëheni pjesë e demokracisë dhe vendimmarrës

admin