Kur sillesh si të jesh banor pylli, mund të trajtohesh dhe si ari!
Politika shqiptare po ka tashmë dhe pjesën e saj zoo, ku dimensioni kafshëror lidhet me pretendimet e opozitës, më saktë Berishës, se një lloj spraji që policia hodhi ndaj tyre në protestën më të fundit kundër qeverisë, ishte e destinuar për arinjtë.
Shkruan ai së fundi:
“Të dashur miq,
për të përgënjeshtruar deklaratat e PD për përdorimin e verbuesit të ariut nga narkopolicia dje kundër protestuesve, sot pasdite ajo ka shpërndarë foto të spray-t që përdoret nga policia kundër protestuesve.
Por cilido që shikon me vëmendje foton e bombulës së spray-t në dorën e policit, konstaton se ajo është krejt tjetër nga bombula që ka shpërndarë në media policia, gjoja të përdorur prej saj. Nga shikimi i vëmendshëm konstatohet se mekanizmi i hedhjes së spray-t i bombolës në dorën e narkopolicit është mekanizmi tipik i bombulave të spray-t të verbuesit të ariut dhe është krejt tjetër nga mekanizmi i bombulës të shpërndarë për mashtrim nga policia.
Dënoj me forcën më të madhe këtë mashtrim publik të ulët të narkopolicisë, e cila pasi ka kryer krimin kërkon të fshihet. Përdorimi i verbuesit të ariut kundër njerëzve është një vepër me pasoja të rënda kriminale, e ndaluar nga konventat ndërkombëtare”.
Por kjo që thotë Berisha vështirë të ndikojë në ndonjë qasje serioze të opinionit ndaj reagimit policor të pretenduar me pigmente kimike të destinuara për kafshë pylli. Sepse, duke patur parasysh deklarimet po të Berishës për çadra e stilolapsa vrasës te protestuesit e 21 janarit, edhe kjo puna e arinjve u jep pohimeve të tij një shije anektodike. Megjithatë, kjo nuk ja heq linjën kafshërore politikës shqiptare, aktorët e së cilës, ku spikat Berisha, sillen si të jenë banorë pylli. /tesheshi

