Kryetari demokrat, Sali Berisha e mbylli fjalën e tij në Asamblenë e të Zgjedhurve Vendorë Demokratë duke bërë thirrje për betejë.
“Përshëndes shoqatën dhe drejtuesit e shoqatës. Iu uroj suksese. Theksoj dhe njëherë se, në përmbushjen e misionit tuaj, qëndron edhe një nga shtyllat kryesore të suksesit tonë të ardhshëm.
Ne vërtet jemi në një situatë ku, në mënyrën më të rëndë për një shoqëri, krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Por ne nuk mund të dorëzohemi kurrë! Ne jemi të detyruar të ngrihemi kundër këtij rrethi vicioz, kundër këtij pushteti.
Ne jemi të detyruar të zhvillojmë mnjë luftë shumëplanëshe, një përpjekje shumëplanëshe në mënyrë që të rikthejmë votën e lirë të shqiptarëve dhe ata të votojnë njëlloj si popujt e tjerë fqinjë.
Dy ditë janë nga dita e zgjedhjeve të përgjithshme. Në këto dy vite ne duhet të luftojmë në të gjitha rrafshet. Pushteti që ju keni është shumë i çmuar për qytetarët, është shumë i çmuar për PD-në, për opozitën.
Edhe njëherë, mos harroni se sot qytetarët shqiptarë kanë një qeveri vendore vetëm në zyrat e bashkisë dhe në ekranet televizive. Detyra juaj është të shkoni kudo që janë qytetarët. Detyra juaj është të bëheni avoketër të interesave të tyre, të denonconi braktisjen e tyre, të ngjallni shpresën tek ata. Detyra juaj është të punoni me përkushtim për programin më të mirë të bashkisë tuaj, të qarkut tuaj.
Zgjedhjet po vijnë, dy vite. PD do paraqitet në këto zgjedhje me programin e saj më të mirë. Por ky program do jetë më i mirë atëherë kur të shprehë interesat reale, kërkesat dhe nevojat reale të zgjedhësve shqiptarë aty ku jetojnë. Më mirë se ju, askush nuk mund t’i përcaktojë ato. Askush nuk mund t’i studiojë, t’i evidentojë ato. Duhet të jetë ky një dimension shumë i rëndësishëm i punës suaj.
Shoqata ka një detyrë të rëndësishme ndërkombëtare. Paraqitjen ashtu siç është, kudo, të pushtetit të dalë nga rrethi vicioz krim-votë. Në të gjithë botën, në të gjitha shoqatat. Ne duhet të jemi të vendosur në misionin tonë, të bëjmë transparencë të plotë të kësaj qeverisje, e cila me aktet e saj, del jashtë çdo lloj imagjinate.
Ka një kryetar bashkie në Europë apo botë, që të mashtrojë qytetarët se ka mbjellë 1 milionë pemë? A ka një kryetar bashkie që të asgjesojë parlamentin, këshillin bashkiak dhe të firmosë për t’i akorduar 90 milionë euro, sipërmarrjes së tij de facto, kurse në letra, Zoto-Mërtiri. A ka një kryetar bashkie që ndërton shkolla me një çmim 8 deri në 10 herë mbi standardin evropian të ndërtimit të një shkolle? Prandaj dhe ai mburret me gjuhë ordineri se ka 60 mijë vota. I ka të gjitha falsifikime. Ai nuk fiton kurrë. Nuk ka qytetar të vërtetë që voton një njeri si ky. Unë po marr këtë, por Sako është po kaq mëkatare. Sakos po i largohen drejtorët se do i arrestohen drejtorët një nga një, derisa të shkojë bashkë me ta.
Duhet t’u bëjmë të qartë të gjitha shoqatave se cfarë përfaqëson pushteti i dalë nga rrethi vicioz, krimi shndërrohet në votë dhe vota në krim. Sado i fortë të duket sot, aq i kalbur është në realitet. Regjime si regjimi i Edi Ramës, kanë qëndruar në pushtet vetëm kur qytetarët nuk janë ngritur kundër tyre.
Edhe sot Edi Rama qëndron në pushtet vetëm pse opozita nuk është ngritur fuqishëm dhe në mënyrë përfundimtare kundër tij.
Ai sot kontrollon çdo gjë, kontrollon çdo pushtet, kontrollon mediat në tërësi, kontrollon parlamentin, ka siguruar edhe një peng-opozitë aty. Por nuk kontrollon dot idealet e qytetarëve, nuk kontrollon dot zemërimin e qytetarëve. Ndaj dhe ne duhet të bëhemi zëdhënës të tyre. Të bëhemi zëdhënës të tyre, në këtë betejë, idealistët do të fitojnë. Kam shumë besim te ju, kam besim te ata që bënë fushatë qytetare, paraqitën programet më të mira.
Do vazhdojmë betejën, do mbrojmë interesin e qytetarëve dhe të ecim të sigurt drejt një fitoreje të merituar në zgjedhjet e vitit 2025. Le të jetë ky objektiv ai që duhet të na frymëzojë ne, në të gjithë përpjekjen tonë për të larguar nga pushteti dhe hapur rrugën zgjedhjeve të lira, armikun më të egër të zgjedhjeve të lira nga koha e Enver Hoxhës, Edi Rama. Edi Rama nuk ikën me votë, ai ka frikë e tmerr nga krimet që ka bërë.
Pëllumb Gjokën e kishte investitor strategjik, prisni kur të studioni investitorët e tjerë strategjikë, çfarë do gjejnë shqiptarët. Ndaj detyra i takon qytetarëve idealistë, atyre që nuk u dorëzuan, që nuk u shitën, që nuk bënë pazare dhe qëndruan.
Dhe një gjë do e them për ta mbyllur. Çdo zyrtar i PD nuk duhet të harrojë vuajtjet, sakrificën, dhimbjen e anëtarëve dhe mbështetësve tanë në këto 10 vite. Ata u bënë copa, ata u pushuan nga puna, ata humbën gjysmën e familjes në emigracion apo më shumë, atyre iu shkatërruan edhe ato biznese të vogla vetëm e vetëm pse nuk pranuan të bëjnë pazare, vetëm e vetëm pse nuk pranuan të dorëzohen.
Kjo vuajtje, kjo sakrificë, kjo dhimbje e këtyre njerëzve të thjeshtë, duhet të na bëjë ne shumë herë më të motivuar për të përmbushur detyrimet ndaj tyre dhe ndaj vendit,” tha Berisha. /syri