RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Bernie Sanders në La Republicca: Trump, i rrezikshëm!

bernie-sanders-ne-la-republicca:-trump,-i-rrezikshem!

Pohimi: Duhet t’i shpenzojmë miliardat për ushqime dhe ilaçe, jo për të vrarë njëri-tjetrin!

Në një intervistë për gazetën italiane La Repubblica, senatori amerikan i Vermontit Bernie Sanders bën thirrje që politika t’i rikthehet realitetit të klasës punëtore, ku 60 për qind e amerikanëve sot luftojnë për mbijetesë.

Ikona e së majtës amerikane analizon rreziqet e autokratëve si Trump dhe fuqinë e pakufizuar të oligarkëve teknologjikë, duke kërkuar një bashkim global kundër pabarazisë.

Përmes librit të tij të ri “Kundër oligarkisë”, Sanders propozon një rrugë shprese për brezat e rinj dhe një model të ri angazhimi qytetar.

Kush janë sot oligarkët amerikanë?

Një për qind e popullsisë që zotëron më shumë se 93 për qindëshi i mbetur. Një grusht miliarderësh që sot gëzojnë një pushtet të paprecedentë. Njerëz si Elon Musk, Jeff Bezos, Mark Zuckerberg e pak të tjerë, të cilët ndikojnë në ekonomi e politikë, duke i thelluar pabarazitë dhe duke shtyrë vendin drejt autoritarizmit. Trump është një nga ata dhe mbështetet prej tyre.

Në libër ju bëni një listë të gjatë të premtimeve të pambajtura nga Trump. Por aty mungon një: ai për të mos nisur më luftëra…

Ai është një president shumë i rrezikshëm. Bashkë me Netanyahun ka nisur një luftë antikushtetuese, të paligjshme dhe shkatërruese, njëlloj si Putini në Ukrainë. Kjo po na detyron të jetojmë në një lloj anarkie ku e drejta ndërkombëtare nuk vlen më. Ne duhet t’i shpenzojmë ato miliarda dollarë për ushqime dhe ilaçe, në vend që t’i përdorim për të vrarë njëri-tjetrin.

Trump ndodhet në Kinë. Çfarë prisni nga bisedimet me Xi?

Që Pekini të përdorë ndikimin e tij për t’i dhënë fund kësaj lufte. Dhe që të dy të ballafaqohen me një çështje që unë e kam shumë për zemër: Inteligjencën Artificiale. Duhen rregulla ndërkombëtare që të parandalojnë zhdukjen e miliona vendeve të punës prej saj. Po ashtu të parandalohet që zhvillimi i saj të dalë jashtë kontrollit njerëzor, duke vënë në rrezik mbarë njerëzimin.

Ju si hebre, ishit senatori i parë që përdori termin “gjenocid” ndaj palestinezëve…

Izraeli ka qenë për një kohë të gjatë një shoqëri liberale në kuptimin tradicional. Netanyahu dhe qeveria e tij raciste e së djathtës e shndërruan atë në diçka tjetër.

Izraeli kishte të drejtë të mbrohej. Por ajo që bëri, ishte nisja e një lufte totale kundër burrave, grave dhe fëmijëve të Gazës, duke shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sot, gjithnjë e më shumë amerikanë po i kërkojnë qeverisë të mos shpenzojë më para për të vrarë palestinezët. Dhe unë po angazhohem maksimalisht në këtë drejtim.

Ju shkruani se gënjeshtrat e shumta të Trump-it e “kanë minuar procesin demokratik dhe politik amerikan”. A është ende e mundur që ai ta marrë veten?

Trump është një demagog. Në vend që të përballet me krizat që po gjunjëzojnë Amerikën, kërkon të mbajë pushtetin duke nxitur urrejtje kundër emigrantëve dhe të huajve. Dhe po ashtu kundër Kinës, Iranit, Meksikës e Kanadasë. Ne si të majtë duhet të bëjmë të kundërtën: të bashkojmë njerëzit rreth projekteve të solidaritetit.

Kush do të kandidojë nga demokratët për Shtëpinë e Bardhë?

Është herët për të folur. Shpresoj të jetë dikush që ka guximin të sfidojë interesat e mëdha ekonomike, duke u bërë zëri i zemërimit të njerëzve, i atij zemërimi që tani po ushqen mbështetjen ndaj të djathtës së Trump-it.

Duhet të jetë dikush i aftë të pranojë realitetin dhe të motivojë masat. Vullnetarët duhet të trokasin derë më derë, duke bindur njerëzit përmes bisedave të drejtpërdrejta dhe jo me reklama miliardere. Kështu ia dolëm në Nju Jork ia dolëm me Zorhan Mamdanin.

Shumë njerëz kanë frikë se në nëntor nuk do të ketë zgjedhje të lira…

Trump po përpiqet të minojë demokracinë përmes asaj që ne në SHBA e quajmë gerrymandering. Ai manipulon kufijtë e zonave elektorale për ta bërë më të vështirë votimin për të varfrit, personat me aftësi të kufizuara dhe njerëzit me ngjyrë, pra ata që mund të votojnë kundër tij. Por zgjedhjet do të bëhen dhe, nëse tregohemi të zgjuar, mund të fitojmë kontrollin e Kongresit por ndoshta edhe të Senatit.

Libri u kushtohet nipërve tuaj dhe gjithë të rinjve të botës…

Duhet të jemi të aftë t’u lëmë atyre trashëgim një demokraci të drejtë. Dhe kjo arrihet vetëm duke u bërë bashkë.

A nuk është kjo një utopi?

E di që njerëzit thonë “kot që votojmë, asgjë nuk ndryshon”. Një shembull i qartë është pikërisht Trump. Edhe pse është shumë poshtë në sondazhe, ai është më popullor se shumë demokratë në Kongres. Por ne të majtët po punojmë për këtë, po përpiqemi të formojmë një klasë të re politike.

Ne mbështesim gratë, njerëzit me ngjyrë dhe të rinjtë që janë gati të kandidojnë. Përfshirja e tyre në sistemin politik do të thotë të përfaqësosh më mirë Amerikën, duke punuar për ndryshimin. Ndaj, atyre që janë pesimistë u them: përvishni mëngët, nuk ka transformim pa angazhim. /tesheshi

Related posts

Turqi, të paktën 3 të vdekur dhe 213 të plagosur nga tërmetet e reja në Hatay

admin

Trump: Vendet e prekura do të dërgojnë luftanije me SHBA-në për ta mbajtur Hormuzin “të hapur dhe të sigurt”

Muhamet Ramadani

Kremlini: Në planin e Kinës për zgjidhjen e çështjes së Ukrainës ka pika të pazbatueshme

admin