RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Biden dhe i dërguari i Vatikanit takohen për të diskutuar për luftën në Ukrainë

biden-dhe-i-derguari-i-vatikanit-takohen-per-te-diskutuar-per-luften-ne-ukraine

Presidenti amerikan, Joe Biden, do të takohet me të dërguarin e Papa Françeskut në kuadër të nismave paqësore dhe humanitare të Selisë së Shenjtë për Ukrainën.

Në krye të agjendës së takimit të tyre të martën është situata e fëmijëve ukrainas që u dërguan në Rusi, njoftuan Shtëpia e Bardhë dhe Vatikani.

Kardinali Matteo Zuppi do të qëndrojë në Uashington deri të mërkurën. Para kësaj, ai ishte në një mision në Moskë, pastaj në Kiev, ku u takua edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, konfirmoi se Bideni do të takohet me Zuppin të martën për të “diskutuar vuajtjet e shkaktuara nga lufta brutale e Rusisë në Ukrainë”.

Jean-Pierre tha, gjithashtu, se do të diskutohen edhe “përpjekjet e Shteteve të Bashkuara dhe Selisë së Shenjtë për të ofruar ndihmë humanitare për të prekurit, si dhe fokusi i Selisë së Shenjtë në riatdhesimin e fëmijëve ukrainas të marrë me forcë nga zyrtarët rusë”.

Zuppi është një veteran i nismave paqësore të Kishës Katolike dhe u ngarkua nga Papa Françesku për të gjetur “shtigje të paqes” ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës.

Në Moskë, Zuppi u takua me Maria Lvova-Belova, komisionere ruse për të drejtat e fëmijëve, si dhe kreun e Kishës Ortodokse Ruse,patriarkun Kirill, i cili e mbështet fuqishëm luftën.

Françesku pranoi kërkesën e Ukrainës për të ndërhyrë kudo që të jetë e mundur në mënyrë që fëmijët ukrainas që u dërguan në Rusi pas pushtimit nga Moska, të kthehen në Ukrainë.

Në fund të marsit, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër arrestimi për Lvova-Belovan dhe presidentin rus, Vladimir Putin, duke i akuzuar ata për rrëmbimin e fëmijëve nga Ukraina.

Papa Françesku tha se shpreson se Selia e Shenjtë mund të lehtësojë bashkimin e familjeve, në të njëjtën mënyrë që Vatikani ka lehtësuar shkëmbimin e të burgosurve.

Papa ka bërë thirrje në mënyrë të përsëritur për t’i dhënë fund luftës, por nuk e ka kritikuar hapur Moskën, pjesë e traditës së Vatikanit për të ruajtur neutralitetin diplomatik në konflikte me shpresën se mund të luajë një rol në arritjen e paqes.

Papa tha se Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje, por kritikoi ashpër industrinë ushtarake, duke thënë se furnizimi i Ukrainës me armë nga Perëndimi është i pamoralshëm “nëse bëhet me qëllimin për të provokuar më shumë luftë ose për të shitur armë”.

Papa Françesku u takua me Bidenin, i cili është katolik, në Vatikan në vitin 2021 dhe më parë në vitin 2015 gjatë vizitës papale në SHBA. /rel

Related posts

Osetia Jugore e shkëputur nga Gjeorgjia konsideron mbajtjen e referendumit për bashkimin me Rusinë

Muhamet Ramadani

Meksika do të presë ekipin kombëtar iranian gjatë Kupës së Botës, thotë presidentja Sheinbaum

Muhamet Ramadani

Një punëtor në Prizren humb jetën në vendin e punës

admin