Bisedimet e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara (OKB) kanë filluar në kryeqytetin Doha të Katarit në mungesë të talebanëve dhe synojnë për të diskutuar mënyrat për t’u marrë me regjimin aktual të Afganistanit dhe trajtimin e grave, transmeton Anadolu.
Përfaqësues nga 25 vende dhe grupe, përfshirë SHBA-në, Kinën, Rusinë dhe Pakistanin, si dhe donatorët kryesor po marrin pjesë në bisedimet dy-ditore me dyer të mbyllura, të thirrura nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Qeveria talebane nuk është e ftuar në bisedime.
“Takimi synon të arrijë një mirëkuptim të përbashkët brenda komunitetit ndërkombëtar se si të angazhohen me talebanët për këto çështje”, thuhet në një njoftim të OKB-së përpara bisedimeve.
Talebanët, të cilët u kthyen në pushtet në gusht të vitit 2021, kanë vendosur një sërë kufizimesh ndaj grave dhe vajzave afgane, duke i ndaluar të marrin pjesë në shumicën e fushave të jetës publike dhe të përditshme.
Grave afgane gjithashtu u është ndaluar të punojnë me OKB-në në një vend ku, sipas organit global, rreth 29 milionë njerëz varen nga ndihma humanitare.
Javën e kaluar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së njëzëri miratoi një rezolutë që dënon vendimin, duke theksuar se vendimi minon të drejtat e njeriut dhe parimet humanitare.
Trupi prej 15 anëtarësh bëri thirrje për “pjesëmarrje të plotë, të barabartë, kuptimplote dhe të sigurt të grave dhe vajzave në Afganistan”.
Pakistani vazhdon të mbështesë përpjekjet për Afganistanin
Sot më herët, Pakistani tha se do të vazhdojë të mbështesë të gjitha përpjekjet për të “përparur objektivat e përbashkëta të një Afganistani paqësor, të qëndrueshëm, sovran dhe të begatë”.
Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Pakistanit thuhet se ministrja e Shtetit për Punët e Jashtme, Hina Rabbani Khar, po përfaqëson Islamabadin në takimin e të dërguarve të posaçëm për Afganistanin.
Në njoftim theksohet se Khar do të prezantojë perspektivën e Pakistanit përballë Afganistanit dhe do të punojë në ndërtimin e një konsensusi në lidhje me rrugën përpara me partnerët ndërkombëtar dhe rajonal.
#Doha Update :#UN Conference #Afghanistan @AFIntlBrk pic.twitter.com/eo264iDIAU
— Abdulhaq Omeri (@AbdulhaqOmeri) May 1, 2023