Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken mbërriti sot në Egjipt në kuadër të një turneu që do të përfshijë vizita në Izrael dhe Palestinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas Departamentit të Shtetit, Blinken në Kajro do të takohet me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sisi, ministrin e Jashtëm Sameh Shoukry dhe zyrtarë të lartë egjiptianë për të avancuar partneritetin strategjik SHBA-Egjipt dhe për të promovuar paqen dhe sigurinë në rajon, përfshirë mbështetjen e përbashkët për zgjedhjet në Libinë.
Diplomati i lartë amerikan do të vizitojë gjithashtu Izraelin për të diskutuar me zyrtarët atje rreth mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së për sigurinë e Izraelit, veçanërisht kundër kërcënimeve nga Irani.
Ata do të diskutojnë për marrëdhëniet izraelito-palestineze dhe rëndësinë e një zgjidhjeje me dy shtete si dhe një sërë çështjesh të tjera globale dhe rajonale.
Në Bregun Perëndimor, Blinken do të takohet me presidentin palestinez, Mahmud Abbas dhe zyrtarë të lartë për të diskutuar marrëdhëniet izraelito-palestineze, reformat politike dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të SHBA-së me palestinezët.
Vizita e sekretarit amerikan vjen mes një rritjeje të dhunës në territoret palestineze ditët e fundit.