RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Blinken: Shumë punë për të bërë përpara marrëveshjes së armëpushimit në Gaza

blinken:-shume-pune-per-te-bere-perpara-marreveshjes-se-armepushimit-ne-gaza

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka deklaruar se ka “shumë punë për të bërë” përpara se të arrihet një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

Ndërmjetësuesit, përkatësisht SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, konfirmuan se kanë marrë një përgjigje nga Hamasi për një marrëveshje kornizë për armëpushim dhe shkëmbim të pengjeve me Izraelin.

Lidhur me përgjigjen e grupit palestinez, siç raporton gazeta ‘The Times of Israel’, Blinken gjatë takimit të tij me presidentin izraelit, Isaac Herzog, tha se “po shohim atë intensivisht”.

“Ka shumë punë për të bërë, por ne jemi shumë të përqendruar për ta bërë atë punë dhe shpresojmë që të jemi në gjendje të rifillojmë lirimin e pengjeve që u ndërpre shumë muaj më parë”, tha Blinken.

Sekretari amerikan u takua edhe me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Një burim palestinez për AA tha se Hamasi ka propozuar një plan me tre faza që përfshin një pauzë 135-ditore në luftime në këmbim të lirimit të pengjeve.

Lufta në enklavën palestineze filloi pas ofensivës së 7 tetorit nga Hamasi, ku Tel Avivi beson se u vranë rreth 1.200 njerëz dhe rreth 240 të tjerë u morën peng.

Rreth gjysma e pengjeve u liruan gjatë një armëpushimi njëjavor të nëntorit në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë.

Sulmet izraelite në Gaza kanë vrarë mbi 27 mijë palestinezë dhe rreth 85 për qind e popullsisë së enklavës janë zhvendosur brenda vendit.

Dje, kryeministri i Katarit tha se Hamasi ka dhënë përgjigje “përgjithësisht pozitive” ndaj propozimeve për një marrëveshje për të ndaluar luftimet dhe për të liruar të burgosurit palestinezë për kthimin e më shumë pengjeve izraelite.

Related posts

Avionët izraelitë sulmojnë objektivat e Hezbollahut në Libanin jugor

admin6

Vdes një i burgosur në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë

admin

Sondazhi i institutit amerikan: Kurti politikani më i besueshëm në Kosovë, Osmani e dyta

admin