RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Blinken viziton Ukrainën, rikonfirmon mbështetjen e SHBA

blinken-viziton-ukrainen,-rikonfirmon-mbeshtetjen-e-shba

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken mbërriti të mërkurën në Kiev në një vizitë të paparalajmëruar. Vizita ka si qëllim të tregojë besim tek forcat ukrainase dhe të rikonfirmojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Z. Blinken pritet të njoftojë dhe një paketë të re ndihmë amerikane në vlerën e më shumë se 1 miliardë dollarëve. Ai mbërriti disa orë pasi Rusia ndërmori një sulm me raketa ndaj kryeqytetit të Ukrainës dhe ndërsa ai takohej me udhëheqësit e vendit, sulmet ruse ndaj qytetit lindor të Kostiantynivkas, shkaktuan vdekjen e 17 personave dhe plagosjen e 32 të tjerëve.

Kjo është vizita e tretë në Kiev e Sekretarit Blinken që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Gjatë takimit me Kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal, z. Blinken tha se çdo herë që viziton vendin befasohet nga qëndrueshmëria e jashtëzakonshme e popullit ukrainas, forca e ushtrisë së tij dhe udhëheqja shumë e fortë e vendit.

“Jam këtu kryesisht me kërkesë të Presidentit Biden për të riafirmuar angazhimin tonë për të qëndruar me ju, për t’u ndihmuar që të keni sukses ushtarakisht dhe të përballeni me agresionin. Por gjithashtu të qëndrojmë me ju për t’u siguruar që përpjekjet për të ndërtuar një ekonomi dhe demokraci të fortë, të kenë sukses. Pasi një demokraci dhe ekonomi e fortë, janë ndryshimi mes një Ukrainë që mbijeton, e që do ta bëjë një gjë të tillë, dhe një Ukrainë që lulëzon, e që duhet ta bëjë, e që mundet. Ne do të jemi partnerët tuaj në këto përpjekje, së bashku me shumë vende të tjera të botës”, tha z. Blinken.

Ndërsa falenderoi z. Blinken dhe delegacionin amerikan që e shoqëronte atë, Kryeministri ukrainas iu referua sulmit të sotëm rus ndaj qytetit të Kostiantynivkas për te treguar se çfarë është e gatshme të vazhdojë të bëjë Moska.

“Sot, ndërsa ju ishit rrugës për në Kiev, rusët i kujtuan të gjithë Ukrainës se kush janë ata. Ata demonstruan edhe një herë qëndrimin e tyre ndaj të gjithëve ne, popullit ukrainas, popullit amerikan dhe botës së qytetëruar. Faleminderit për vizitën tuaj dhe guximin. Ne po e mbrojmë vendin dhe me siguri do të fitojmë”, tha ai.

Vizita e Sekretarit Blinken kishte për synim të vlerësonte ecurinë e kundërsulmit tre mujor të Ukrainës dhe të sinjalizonte mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së ndërsa disa aleatë perëndimorë po shprehin shqetësime mbi përparimin e Kievit në fushën e betejës.

I pyetur lidhur me vizitën e Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Kiev zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se ishte e qartë se Uashingtoni kishte në plan të vazhdojë financimin e përpjekjeve Ukrainës për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

“Me fjalë të tjera, ata po përpiqen ta mbajnë atë në fakt në gjendje lufte, deri sa të bjerë dhe ukrainasi i fundit, duke mos kursyer asgjë. Por kjo nuk do të ndikojë në mënyrën se si po shkon operacioni special ushtarak”, tha z. Peskov, duke iu referuar mënyrës sesi Moska e cilëson agresionin e saj në Ukrainë.

Megjithë mbështetjen e palëkundur amerikane për Ukrainën që nga fillimi i sulmit rus, disa kandidatë republikanë për president kanë ngritur pikëpyetje mbi ndihmën amerikane, duke nxitur shqetësimet nëse Uashingtoni do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën në të njëjtin nivel me intensifikimin e fushatës zgjedhore. Deri më tani qeveria amerikane ka ofruar më shumë se 43 miliardë dollarë në armatime dhe ndihmë të tjera ushtarake për Ukrainën.

Në gusht Presidenti Joe Biden i kërkoi Kongresit që të miratojë rreth 40 miliardë dollarë shpenzime shtesë, nga të cilat 24 miliardë dollarë për Ukrainën. Kërkesa mund të përballet me kundërshti në Kongres, ku disa republikanë të ekstremit të djathtë – veçanërisht ata me lidhje të ngushta me ish-Presidentin Donald Trump, po kërkojnë të ulin nivelin e financime që Uashingtoni i dërgon Ukrainës.

Analistët perëndimorë dhe zyrtarët ushtarakë paralajmërojnë se suksesi i kundërsulmit nuk është aspak i sigurt. Çlirimi i Ukrainës nga trupat ruse të rrënjosura, të armatosura fuqishëm dhe të aftë mund të zgjasë me vite, thonë ata.

Forcat ukrainase po përparojnë pa mbulim ajror, duke e bërë përparimin e tyre më të vështirë dhe më të ngadalshëm, ndërsa Rusia ka nisur shtytjen e saj në verilindje për të bllokuar forcat ukrainase dhe për të parandaluar rishpërndarjen e tyre në jug.

Ukraina ka përshtatur taktikat e saj në javët e fundit, duke kaluar nga përpjekjet për të kaluar rrugën e saj përmes linjave ruse me armaturë të furnizuar nga Perëndimi në sulme taktike të planifikuara më mirë që sjellin përfitime në rritje, sipas Institutit Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara, një institut kërkimi. /voa

Related posts

Mitsotakis pas takimit me Erdoğanin: Dy vende që ndajnë kufi të përbashkët duhet të veprojnë krah për krah

rezart morina

Izraeli vazhdon sulmet intensive në Rripin e Gazës edhe në ditën e 121-të

admin

Restaurohet dorëshkrimi i Kuranit 500-vjeçar në Tajvan

rezart morina