Një njollë e madhe nafte po i afrohet bregdetit aty ku vlon situata
Një njollë e madhe nafte nga një cisternë e dëmtuar ka filluar të arrijë në bregdetin e Omanit, ka konfirmuar Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit të Omanit.
Incidenti kërcënon të bëhet një nga katastrofat më të këqija mjedisore në botë në vitet e fundit, pasi njolla u përhap për javë të tëra pa pothuajse asnjë mbikëqyrje.
Nafta mund të ndikojë në 40 kilometra vijë bregdetare pranë Ras Madrake, si dhe në ishullin Masirah, tha agjencia.
“Njolla tani mbulon një sipërfaqe prej më shumë se 2,000 kilometrash katrorë”, tha John Amos, një ekspert i derdhjeve të naftës i cili shqyrtoi imazhet satelitore për Reuters.
Cisterna Caroline Bezengi, e cila mbante rreth 800,000 fuçi naftë ruse dhe ishte nën sanksione ndërkombëtare, u anua më 30 qershor.
Nafta po rrjedh pranë një ishulli që është pjesë e një rezervati natyror detar të Omanit, habitati i shumë specieve shtazore, duke përfshirë balenat me gungë të Detit Arabik dhe kormoranët e Sokotranit.
Cisterna raportoi për herë të parë vështirësi më 8 qershor pranë Jemenit, pas një shpërthimi, sipas burimeve detare.
Asnjë palë nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por anija kaloi nëpër dy konflikte të ndara në rrugën e saj nga Rusia në Indi.
Ajo u nis në prill nga porti rus i Novorossiysk në Detin e Zi, pika e nxehtë e luftës midis Rusisë dhe Ukrainës. Ukraina ka kryer sulme ndaj një të ashtuquajture flotë hije që transporton naftë ruse, pjesë e së cilës është edhe Caroline Bezengi.
Të dhënat e gjurmimit të anijeve tregojnë se ajo kaloi nëpër Kanalin e Suezit në fund të majit dhe më pas lundroi pranë Jemenit, ku Huthët e Jemenit, të lidhur me Iranin, janë përfshirë në një luftë më të gjerë rajonale midis Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.
Rrjeti kompleks i rregullave dhe sanksioneve të lidhura me luftën që rregullojnë transportin detar dhe derdhjet e naftës po pengon përpjekjet e shpëtimit dhe mund ta bëjë edhe më të vështirë parandalimin e një katastrofe të afërt, thonë siguruesit dhe analistët.
Agjencia ndërqeveritare që merret me kompensimin e derdhjeve të naftës, IOPC Funds, i tha Reuters se nuk do të merrte pjesë në koston e pastrimit sepse incidenti po trajtohet si një “akt lufte” dhe jo si një aksident i zakonshëm.
Anija cisternë 25-vjeçare gjithashtu nuk është e siguruar me asnjë sigurues të njohur perëndimor.
Amos, drejtor ekzekutiv i SkyTruth, një organizatë jofitimprurëse që përdor imazhe satelitore për të forcuar mbrojtjen mjedisore, paralajmëroi se mund të derdhen 40 milionë deri në 50 milionë gallonë naftë.
Sipas tij, kjo do të ishte e krahasueshme me derdhjen e naftës nga cisterna Exxon Valdez në vitin 1989.
Anija është e ngjashme në madhësi dhe kapacitet me Sanchi, një anije iraniane që u përplas me një anije mallrash pranë brigjeve të Kinës në vitin 2018, katastrofa më e keqe detare e naftës në dekada.
Organizata Ndërkombëtare Detare e Kombeve të Bashkuara (IMO) tha se kushtet sezonale të musoneve kufizuan aksesin në cisternë dhe vonuan operacionin e shpëtimit.
“Planet e emergjencës në rast të një derdhjeje nafte janë përgatitur”, tha një zëdhënës i IMO-s për Reuters.
Amos i SkyTruth vuri në dukje se masat e nevojshme, përveç përdorimit të barrierave mbrojtëse, përfshijnë stabilizimin e cisternës dhe transferimin e naftës së mbetur të papërpunuar në një anije tjetër.
“Sa më gjatë të presim, aq më e dëmtuar dhe e konsumuar bëhet cisterna dhe operacioni i shpëtimit do të jetë më kompleks, i vështirë dhe potencialisht i rrezikshëm”, tha ai. /tesheshi

