Qeveria britanike sot ritheksoi se sovraniteti mbi Ishujt Falkland i takon Mbretërisë së Bashkuar, pas një raporti se SHBA-ja mund të rishikojë qëndrimin e saj ndaj pretendimit të Londrës mbi këtë territor, transmeton Anadolu.
“Ishujt Falkland kanë votuar me shumicë dërrmuese për të mbetur territor i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar dhe ne kemi mbështetur gjithmonë të drejtën e banorëve për vetëvendosje”, tha një zëdhënës i qeverisë.
Siç raporton BBC, zëdhënësi tha se qeveria “nuk mund të jetë më e qartë” në qëndrimin e saj.
“Sovraniteti i takon Mbretërisë së Bashkuar dhe e drejta e vetëvendosjes së banorëve është parësore”, tha ai duke theksuar se ky qëndrim u është komunikuar vazhdimisht administratave të njëpasnjëshme amerikane.
Deklaratat vijnë pas një raporti që citon një poste elektronike të brendshme të Pentagonit, ku përmenden masa të mundshme që Washingtoni mund të marrë ndaj aleatëve që nuk kanë mbështetur fushatën e tij në Iran.
Ishujt Falkland administrohen nga Mbretëria e Bashkuar si territor i jashtëm, por Argjentina pretendon sovranitet mbi to, duke i quajtur Ishujt Malvinas.
Mosmarrëveshja u përshkallëzua në vitin 1982, kur Argjentina pushtoi ishujt, duke shkaktuar luftën e Falkandit. Pas rikthimit të kontrollit nga Mbretëria e Bashkuar, banorëve iu dha shtetësia e plotë britanike me Aktin e Shtetësisë Britanike (Ishujt Falkland) të vitit 1983.

