RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Bullgaria mban zgjedhjet e pesta në dy vjet

bullgaria-mban-zgjedhjet-e-pesta-ne-dy-vjet

Presidenti bullgar, Rumen Radev, ka nënshkruar një dekret për shpërndarjen e parlamentit dhe caktimin e 2 prillit si datë për zgjedhjet e parakohshme – të pestat në vend në dy vjet – pasi tri tentativa për formimin e Qeverisë së Bullgarisë dështuan.

Të enjten, Radev gjithashtu riemëroi Galab Donev, kryeministër të përkohshëm.

Përbërja e qeverisë së përkohshme ka mbetur pothuajse e pandryshuar, me përjashtim të ministrit në largim të kulturës, Velislav Minekov, i cili është zëvendësuar me dirigjentin, Najden Todorov.

Radev tha se zgjedhjet e parakohshme ishin të domosdoshme pasi Partia Socialiste e Bullgarisë (BSP) deklaroi më 24 janar se nuk kishte arritur të formonte qeverinë dhe e kishte kthyer mandatin te presidenti.

Paraprakisht, dy grupet më të forta në parlamentin bullgar – partia e qendrës së djathtë, Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB) dhe partia reformiste Ne Vazhdojmë Ndryshimin (PP), të cilat morën vendin e parë, respektivisht të dytë në zgjedhjet e tetorit të vitit të kaluar, kishin dështuar në dy tentativa të gjenin mbështetje për ta formuar Qeverinë e Bullgarisë, por dështuan.

Presidenti më pas, ia dha BSP-së të drejtën për ta përmbushur mandatin, por edhe kjo parti dështoi. Kështu, vendi do të shkojë përsëri në zgjedhje.

Bullgaria, me një popullsi prej afër 7 milionë banorësh, është në krizë politike që nga viti 2020, kur vendi u përball me protesta mbarëkombëtare pas zemërimit të publikut të akumuluar për shumë vite për shkak të korrupsionit.

Pjesa më e madhe e zemërimit ishte lidhur me liderin shumëvjeçar Boyko Borisov, dhe partisë së tij, GERB.

Qeveria e fundit, e udhëhequr nga Kiril Petkov, kolapsoi në qershor vetëm gjashtë muaj pasi mori mandatin, pasi njëri prej partnerëve doli nga koalicioni qeverisës.

Petkov, që udhëheq partinë Ne Vazhdojmë Ndryshimin, është përballur me sfida në përmbushjen e zotimeve të tij për të çrrënjosur korrupsionin. /rel

Related posts

Panamaja fillon deportimin e emigrantëve, sipas marrëveshjes me Shtetet e Bashkuara

admin

Policia arreston një rus në Leposaviq, kishte hyrë ilegalisht nga Serbia në Kosovë

rezart morina

Dy xhami në Angli marrin letra islamofobike pas tërmeteve në Turqi e Siri

rezart morina