RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Çavuşoğlu: Provokimet në Suedi që shënjestrojnë presidentin turk janë raciste dhe krime të urrejtjes

cavusoglu:-provokimet-ne-suedi-qe-shenjestrojne-presidentin-turk-jane-raciste-dhe-krime-te-urrejtjes

Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se provokimi i djeshëm nga mbështetësit e grupit terrorist PKK/YPG në Suedi që shënjestron presidentin turk është “racist” dhe njëkohësisht paraqet “krim urrejtjeje”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne pamë një tjetër provokim nga grupi terrorist PKK/YPG në Suedi. Në fakt, ky është një akt që përfshin edhe një krim racist dhe një krim urrejtjeje. Prandaj, është një akt kundër të cilit duhet të luftojë edhe Suedia”, u shpreh ministri Çavuşoğlu në një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij italian Antonio Tajani në Ankara.

Komentet e kryediplomatit turk erdhën pasi mbështetësit e grupit terrorist u mblodhën dje përpara bashkisë historike në Stokholm, varën në një shtyllë para ndërtesës një kukull të përngjasuar me presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe shpërndanë pamjet në mediat sociale.

Pamjet e postuara më vonë në një llogari të mediave sociale të lidhur me grupin terrorist treguan gjithashtu se ishin bërë kërcënime me titra turke që shënjestronin Turqinë dhe presidentin Erdoğan.

Suedia ndryshoi Kushtetutën e saj dhe ligjin kundër terrorizmit, por ato ligje as që nevojiten, tha Çavuşoğlu, duke shtuar se Suedia duhet të “luftojë një akt që është krim racist dhe i urrejtjes”.

Ai tha se edhe më herët kishte pasur disa veprime nga PKK, ndërsa Suedia i tha Turqisë se kishte vështirësi në parandalimin e tyre.

Ky veprim provokues ka ndodhur pikërisht përballë komunës në qendër të qytetit, para të gjithëve, theksoi kryediplomati turk, duke shtuar se nuk mjafton vetëm dënimi.

“Suedia ka një përgjegjësi këtu, nuk mund t’i shpëtojë kësaj përgjegjësie”, tha Çavuşoğlu.

Ai shtoi se qeveria suedeze kishte treguar njëfarë vendosmërie për këtë çështje, por aktivitetet e organizatës terroriste vazhdojnë.

“Jo vetëm akti i djeshëm racist dhe krimi i urrejtjes, por edhe aktivitetet në mbështetje të organizatës terroriste vazhdojnë”, tha ai.

Ekziston një “realitet i dukshëm” që organizata terroriste dhe mbështetësit e saj nuk duan që Suedia dhe Finlanda të bëhen anëtarë të NATO-s, tha kryediplomati turk.

Ose Suedia dhe Finlanda “do të mbyllin një sy ndaj kësaj çështje dhe do të përkulen” ose do të përmbushin angazhimet e tyre për të ndërmarrin hapat e nevojshëm kundër këtyre organizatave terroriste, shtoi Çavuşoğlu.

Nëntorin e kaluar, mbështetësit e grupit terrorist PKK/YPG projektuan imazhe duke fyer presidentin Erdoğan në një ndërtesë të ambasadës turke në Stokholm.

Protesta kërcënuese erdhi pasi Suedia përpiqet t’i japë garanci Turqisë se qëndron kundër terroristëve që kërcënojnë vendin, si PKK/YPG, përderisa kërkon miratimin e Ankarasë për anëtarësimin e vendit nordik në NATO.

Zyrtarët turq kanë thënë se Suedia ende nuk i ka përmbushur premtimet që ka bërë për t’u anëtarësuar në aleancë.

Related posts

​Aprovohen dorëheqjet e policëve serbë, jo të gjithë kanë dorëzuar pajisjet

admin

Mosha mesatare në SHBA arrin nivelin më të lartë në histori

admin

Arabia Saudite dërgon një avion tjetër me ndihma për të prekurit e tërmetit në Turqi dhe Siri

admin