RTV AHIRETI
KosovëLajmeLajmet

Piraj: Duhet të bëhemi patriotë ekonomikë, por kemi nevojë edhe për dorën e shtetit – VIDEO

piraj:-duhet-te-behemi-patriote-ekonomike,-por-kemi-nevoje-edhe-per-doren-e-shtetit-–-video

Afaristi dhe një nga udhëheqësit e fushatës “Mos bli prodhime serbe”, Burim Piraj, ka thënë se populli i Kosovës ka nevojë ta ngrejë patriotizmin ekonomik, porse ka pranuar se për këtë duhet edhe dora e shtetit.

Piraj në një intervistë në “Interaktiv” të KTV-së të premten ka theksuar se kanë kërkuar të takohen me kryeministrin Albin Kurti për të biseduar rreth fushatës për bojkotimin e produkteve serbe, por sipas tij, Kurti nuk u ka kthyer përgjigje. Ka thënë se i kanë shkruar edhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca, por ende s’kanë marrë përgjigje.

“Kemi bërë kërkesë te Kurti dhe Konjufca për t’u takuar, ndërsa ministrja Rozera Hajdari na ka pritur në takim. Kemi biseduar, i kemi treguar brengat tona. Kurti nuk na është përgjigjur tash e disa muaj, ndërsa Konjufcës ia kemi dërguar letrën qe dy-tre ditë, por ende s’kemi marrë përgjigje. Po besojmë se do të marrim përgjigje. Duhet ta ngrisim patriotizmin ekonomik, por këtu duhet edhe dora e shtetit”, ka thënë Piraj.

Afaristi nga Kosova ka thënë se do të kërkojnë nga institucionet analizë më të detajuar për produktet serbe që hynë në Kosovë.

“Duhet që të gjitha produkteve serbe t’i bëhen super analizë. Edhe produkteve materiale, pasi nuk dihet sa është rrezatimi i tyre. Duhet ta mbrojmë shëndetin tonë, shteti e ka obligim ta mbrojë shëndetin tonë. Kemi të dhëna që produktet serbe kontrollohen rrallë nga AUV-i. Ne do të kërkojmë që të ketë kontroll më të shtuar ndaj produkteve serbe”, ka shtuar ai.

Piraj nuk e kupton se pse politika po heziton për t’i përkrahur në këtë fushatë. Ka thënë se janë takuar me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, ndërsa paralajmëroi takim edhe me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Piraj ka thënë se ende s’kanë të dhëna nga Dogana e Kosovës, por beson se në muajt e fundit ka pasur rënie në blerjen e produkteve me origjinë nga Serbia. Pranon që duhet bërë edhe më shumë për t’i vetëdijesuar qytetarët pse nuk duhet të blejnë produkte serbe, ndërsa ka paralajmëruar se fushata “Mos bli prodhime serbe” nuk do të jetë fushatë e shkurtër.

“Prodhimet serbe nuk janë të rëndësishme. Mund të jetohet edhe pa to. Mund të bësh jetë luksoze edhe pa to”, ka theksuar Piraj. /koha

Related posts

Sulmohet me mjet shpërthyes objekti i “Elektrokosmet” në veri

admin

Evropa me verë në dimër

admin

Dokumenti që ‘fundos’ Trump, zbulohen të dhënat hetimore mbi ish-presidentin e SHBA

admin