RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Çfarë pengon ende marrëveshjen SHBA-Iran?

cfare-pengon-ende-marreveshjen-shba-iran?

Programi bërthamor, sanksionet, siguria rajonale dhe ndikimi izraelit

Negociatat mes Donald Trump dhe Iranit po afrohen drejt një marrëveshjeje që mund të ndryojë ekuilibrat në Lindjen e Mesme, por firmosja e saj vazhdon të shtyhet. Edhe pse të dyja palët flasin për progres në bisedime, realiteti diplomatik tregon se nyjet më të ndjeshme politike dhe strategjike mbeten ende të pazgjidhura.

Agjencia italiane e lajmeve ANSA, raporton se çështja kryesore mbetet programi bërthamor iranian. Uashingtoni kërkon garanci të forta dhe të detyrueshme që Teherani të mos zhvillojë armë bërthamore, ndërsa Irani refuzon çdo formulë që mund të interpretohet si dorëzim i sovranitetit të tij strategjik.

Për administratën amerikane kjo është “vija e kuqe”, por për regjimin iranian është një çështje prestigji dhe mbijetese politike. Në këtë klimë negociatash, po rritet edhe mosbesimi i Iranit ndaj qëndrimit amerikan.

Teherani beson se SHBA-ja nuk është plotësisht e lirë në vendimmarrje për shkak të varësisë strategjike nga Izraeli dhe presionit të fortë që vjen nga qeveria e Benjamin Netanyahu.

Për iranianët, çdo marrëveshje mund të ndryshojë ose të zhbëhet nëse interesat izraelite e kërkojnë një gjë të tillë. Kjo e bën Teheranin më të kujdesshëm për të mos pranuar lëshime të menjëhershme, pa garanci konkrete ekonomike dhe politike.

Një tjetër pikë përplasjeje janë asetet iraniane të ngrira jashtë vendit. Irani kërkon zhbllokimin e menjëhershëm të miliarda dollarëve si provë besueshmërie, ndërsa SHBA preferon një proces gradual, të kushtëzuar nga respektimi i marrëveshjes. Kjo diferencë pasqyron mungesën e besimit reciprok që vazhdon të dominojë raportet mes dy vendeve.

Edhe Ngushtica e Hormuzit mbetet pjesë e presionit diplomatik. Hapja e saj konsiderohet thelbësore për stabilitetin e tregjeve globale të energjisë, por Irani po e përdor këtë çështje si një kartë të fortë negociuese për të siguruar lehtësim sanksionesh dhe njohje më të madhe politike.

Në planin e brendshëm amerikan, marrëveshja përballet gjithashtu me kundërshti të forta politike. Figura republikane si Lindsey Graham dhe Ted Cruz kanë paralajmëruar se një marrëveshje e butë me Iranin do të forconte Teheranin dhe do të krijonte pasiguri për Izraelin.

Kjo e shtyn Trumpin të kërkojë një marrëveshje që mund të paraqitet si fitore strategjike dhe jo si kompromis i dobët. Nga ana tjetër, presidenti iranian Masoud Pezeshkian duhet të balancojë presionin e Gardës Revolucionare, elitës fetare dhe krizës së brendshme ekonomike.

Çdo kompromis me SHBA-në shihet me dyshim nga krahët më radikalë. Në thelb, marrëveshja nuk po vonohet vetëm për arsye teknike. Ajo po pengohet nga rivaliteti historik, mosbesimi i thellë politik dhe bindja e Iranit se politika amerikane në rajon vazhdon të kushtëzohet nga interesat dhe siguria e Izraelit.

Pikërisht kjo e bën negociatën shumë më të brishtë sesa deklaratat optimiste që vijnë nga të dyja palët. tesheshi

Related posts

Izraeli pranon 50 mijë punëtorë të rinj nga India, sfida shtesë për punëtorët palestinezë

Muhamet Ramadani

Lufta në Lindjen e Mesme/ Hamasi do të japë sot përgjigje ndaj propozimit të armëpushim, marrëveshja parashikon lirimin e dhjetëra pengjeve izraelite

admin

Hovenier për sulmet e NATO-s: Të heqim çfarëdo dyshimi, bota ishte dëshmitare e spastrimit etnik, përdorimi i forcës i domosdoshëm

admin