RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Çfarë po përgatit Rusia?

cfare-po-pergatit-rusia?

Mobilizim i ri në Ukrainë dhe presion në rritje ndaj Evropës

Rusia mund të hyjë në një fazë të re të luftës në Ukrainë. Prej muajsh qarkullojnë spekulime për një mobilizim të ri ushtarak, ndërsa në Evropë po shtohen paralajmërimet për intensifikimin e operacioneve hibride ruse.

Nuk është ende e qartë nëse Moska do të ndërmarrë një hap të ri ushtarak në përmasa të mëdha, apo do të vazhdojë me presion gradual. Rusia urdhëroi mobilizimin e pjesshëm të më shumë se 300 mijë rezervistëve në vitin 2022, në muajt e parë të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës.

Që atëherë, Kremlini është mbështetur në forma të tjera rekrutimi, përfshirë pagesa të larta për vullnetarët, ndërsa janë raportuar edhe raste presioni apo detyrimi ndaj qytetarëve.

Një mobilizim i ri, do t’i jepte ushtrisë ruse mundësi të shtonte numrin e trupave në front, në një kohë kur përparimi në Donbas është ngadalësuar ndjeshëm. Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Kremlini do të shpallë një mobilizim të përgjithshëm.

Për të shmangur pakënaqësinë e brendshme, mund të përdoren forma më selektive, duke përqendruar rekrutimin në rajone të caktuara ose në kategori të veçanta të popullsisë.

Në këtë mënyrë, në vend të një mobilizimi masiv, Rusia mund të vazhdojë të rrisë gradualisht numrin e njerëzve të dërguar në front. Frika nga rekrutimi ka nxitur ndërkohë edhe largimin e qytetarëve rusë nga vendi.

Presioni ndaj Evropës

Paralelisht me zhvillimet në front, shqetësimi kryesor në Evropë lidhet me sulmet hibride. NATO i përkufizon këto si një gamë veprimesh që përfshijnë sabotazhe, sulme kibernetike, dezinformim, ndërhyrje politike, provokime në kufij dhe forma të tjera presioni që qëndrojnë nën pragun e një lufte të hapur. NATO thotë se veprimtari të tilla ruse janë intensifikuar.

Polonia ka qenë ndër vendet që kanë ngritur alarmin më fort. Kryeministri Donald Tusk deklaroi më 17 shtator se vlerësimet e inteligjencës tregonin për plane ruse për sulme hibride me dronë dhe raketa ndaj vendeve që mbështesin Ukrainën, përfshirë Poloninë.

Sipas tij, një nga skenarët mund të ishte paraqitja e incidenteve si “aksidente”, me synimin për të dobësuar reagimin e NATO-s. Edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar për intensifikimin e kërcënimit hibrid rus dhe ka urdhëruar hartimin e një plani për mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sulmet me dronë dhe ato kibernetike.

Por ende nuk dihet nëse këto paralajmërime do të shndërrohen në një përshkallëzim të ri. Objektivat e mundshëm mund të jenë infrastruktura kritike, rrjetet energjetike, hekurudhat, objektet ushtarake apo sistemet digjitale.

Një skenar tjetër i diskutuar, është përdorimi i operacioneve “false flag”, ku përgjegjësia për një incident do t’i atribuohej një pale tjetër. Në këtë kuadër, një sulm ndaj një vendi të NATO-s do të kishte pasoja shumë më të mëdha se vetë dëmi fizik.

Tusk ka paralajmëruar pikërisht për mundësinë që incidente të përsëritura të përdoren për të testuar unitetin e Aleancës dhe gatishmërinë e saj për të zbatuar detyrimet e mbrojtjes kolektive.

Megjithatë, jo të gjitha vendet evropiane duan të krijojnë një klimë alarmi. Shtetet baltike, ndonëse ndër më të ekspozuarat ndaj Rusisë, kanë paralajmëruar kundër panikut dhe theksojnë nevojën për të ruajtur qetësinë.

Në thelb, dilema e Evropës është e dyfishtë: të përgatitet për një përshkallëzim të mundshëm pa e ekzagjeruar rrezikun dhe, njëkohësisht, të ruajë unitetin e NATO-s.

Rusia mund të synojë pikërisht këtë hapësirë mes frikës dhe reagimit: të rrisë presionin aq sa të krijojë pasiguri, pa kaluar domosdoshmërisht në një konflikt të drejtpërdrejtë me Aleancën. tesheshi.com

Related posts

Myftiu Tërnava priti në punishten e Xhamisë së Madhe në Prishtinë Bilal Erdoğanin – VIDEO

admin

Palestinë: I dërguari i OKB-së ‘thellësisht i alarmuar nga cikli i dhunës’

admin

Bashkimi Europian sanksione të reja kundër Rusisë, paketa përfshin masa kufizuese ndaj 116 individëve dhe subjekteve

admin