Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe homologu i tij i Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, diskutuan për çështje të ndryshme mes dy vendeve, përfshirë përparimin në projektet strategjike dypalëshe, raportoi sot agjencia Yonhap me bazë në Seul, duke cituar këshilltarin për Sigurinë Kombëtare, Wi Sung-lac, transmeton Anadolu.
Dy liderët u takuan të martën në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në kohën kur Washingtoni po rrit presionin ndaj Seulit për të angazhuar trupa ushtarake në përpjekjet për të garantuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, Lee ka përjashtuar dërgimin e trupave luftarake, duke thënë se Koreja e Jugut nuk do të dërgojë personel ushtarak në një mënyrë që mund ta përfshijë në një konflikt jashtë vendit. Takimi i fundit nuk përfshiu çështjen e Hormuzit, tha Wi.
Dy liderët mirëpritën “përparimin e rëndësishëm” në diskutimet për projektet strategjike të investimeve gjatë takimit 30-minutësh, i cili u zhvillua pasi Ministria e Industrisë e Koresë së Jugut informoi të martën ligjvënësit mbi planet e zbatimit të paketës së investimeve prej 350 miliardë dollarësh mes dy vendeve.
– Nëndetëset bërthamore, uraniumi i pasuruar dhe kontrolli operacional i trupave
Takimi përfshiu gjithashtu diskutime mbi synimin e Seulit për të siguruar nëndetëse me energji bërthamore, të drejtën për pasurimin e uraniumit dhe ripërpunimin e karburantit bërthamor të shpenzuar si dhe transferimin e kontrollit operacional në kohë lufte të trupave koreanojugore nga Washingtoni. U diskutua edhe për bashkëpunimin në industrinë e ndërtimit të anijeve.
Gjatë takimit, Trump rikonfirmoi angazhimin e tij për dialog me Korenë e Veriut. Lee i kërkoi Trumpit të kontribuojë në rifillimin e dialogut mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së.
Trump reagoi “pozitivisht”, duke thënë se ka “marrëdhënie të mira” me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, shtoi Wi.

