Përçarje mbi rekrutimin, dhuna e kolonëve dhe kriza mendore e ushtarëve
Izraeli rrezikon të përballet me një kolaps të brendshëm, madje edhe me luftë civile, për shkak të tensioneve në rritje mes vetë qytetarëve të tij.
Ky është përfundimi i një raporti të përgatitur në gusht nga ekspertë të CIA-s të ngarkuar me hartimin e “analizave alternative”, sipas një artikulli të publikuar së fundmi nga Drop Site News.
Raporti, i titulluar “Thyerje nga brenda” (Fracture From Within), vlerëson se Izraeli ndodhet në një situatë të paqëndrueshme përpara zgjedhjeve të 27 tetorit, në të cilat kryeministri Benjamin Netanyahu do të përballet me një betejë vendimtare për të ardhmen e tij politike.
Një nga çështjet më përçarëse të identifikuara nga autorët është përjashtimi afatgjatë i hebrenjve ultra-ortodoksë nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak.
Kjo çështje ka nxjerrë në pah ndarjet e thella brenda kampit të djathtë të Netanyahut dhe ka ngritur pikëpyetje mbi aftësinë e tij për të ruajtur mbështetjen e dy partive ultra-ortodokse, United Torah Judaism (UTJ) dhe Shas.
Të dyja fraksionet kanë qenë ndër aleatët më të besueshëm të Netanyahut që nga rikthimi i tij në postin e kryeministrit dhe, më herët, që prej mandatit të parë të vitit 1996.
Ndërsa qindra mijëra rezervistë janë mobilizuar gjatë luftës në Gazë dhe konflikteve me Libanin, Sirinë dhe Iranin, burrat ultra-ortodoksë i janë gëzuar historikisht përjashtimit nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, me kushtin që t’u kushtohen studimeve fetare me kohë të plotë në yeshiva, shkollat tradicionale hebraike.
Kjo marrëveshje ka qenë prej kohësh objekt debatesh politike dhe shoqërore, por lufta e zgjatur ka shtuar ndjeshëm presionin për t’i dhënë fund asaj.
Koalicioni i Netanyahut ka dështuar vazhdimisht të miratojë një kuadër ligjor për rekrutimin e ultra-ortodoksëve. Për pasojë, dhjetëra të rinj janë ndaluar pasi janë akuzuar për shmangie të shërbimit ushtarak, ndërsa vendimi ka shkaktuar protesta masive, të mbështetura edhe nga UTJ dhe Shas.
Raporti paralajmëron gjithashtu për pasojat e kthimit në jetën civile të dhjetëra mijëra veteranëve dhe rezervistëve të armatosur rëndë. Në Izrael, rezervistët mund t’i mbajnë armët në shtëpi dhe mbajtja e armëve automatike të lehta në publik është relativisht e zakonshme.
Një tjetër faktor, që sipas raportit mund të nxisë destabilizimin është rritja e dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Jerusalemin Lindor. Këtyre u shtohen rritja e çmimeve të ushqimeve dhe kostot jashtëzakonisht të larta të shpenzimeve ushtarake.
Sipas Drop Site News, raporti është përgatitur nga Red Cell (“Celila e Kuqe”), një njësi gjysmë e pavarur brenda CIA-s, e krijuar për të ofruar këndvështrime alternative dhe për të sfiduar supozimet dhe premisat mbi të cilat mbështeten analizat tradicionale të agjencisë.
Raporti përqendrohet te presionet që po grumbullohen përpara zgjedhjeve, të cilat, sipas autorëve, mund të mos prodhojnë një rezultat të qartë.
Sondazhet në Izrael sugjerojnë se as Netanyahu dhe as blloqet opozitare ndaj tij, mund të mos arrijnë shumicën prej 61 mandatesh të nevojshme për formimin e një qeverie në Knesset.
Autorët kanë kryer gjithashtu simulime mbi mënyrën se si këto tensione mund të evoluojnë në një konflikt civil. Dhe një prej skenarëve të mundshëm, do të ishte një vendim i kompanive të huaja të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale për të kufizuar investimet dhe punësimet në Izrael.
Një skenar tjetër, lidhet me mundësinë që qeveritë e rajonit të vendosin të mos normalizojnë marrëdhëniet me Izraelin ose të tërheqin marrëveshjet ekzistuese të bashkëpunimit.
Megjithatë, analiza duket se përqendrohet kryesisht te përçarjet brenda shoqërisë hebraike izraelite dhe nuk trajton në mënyrë të plotë tensionet me qytetarët palestinezë të Izraelit, të cilët përbëjnë rreth 20 për qind të popullsisë dhe prej kohësh denoncojnë diskriminimin.
Të premten, një politikan palestinez me shtetësi izraelite u tërhoq nga gara për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi Gjykata e Lartë e Izraelit la të kuptohej se mund ta skualifikonte nga kandidimi.
Në të njëjtën kohë, gjykata rrëzoi kërkesat për ndalimin e katër partive të tjera politike që përfaqësojnë qytetarët palestinezë të Izraelit. tesheshi

