Kabuli ka kundërshtuar bërjen publike të katër urdhër-arresteve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ndaj figurave të larta të talebanëve në pushtet, për krime të dyshuara kundër njerëzimit që lidhen me persekutimin mbi baza gjinore dhe politike në Afganistan, transmeton Anadolu.
Duke e cilësuar vendimin e GJNP-së si “shkelje të qartë të sovranitetit dhe pavarësisë kombëtare të Afganistanit”, Ministria e Punëve të Jashtme Jashtme e akuzoi gjykatën më të lartë ndërkombëtare për një qasje “selektive dhe të politizuar”.
Dhoma e Procedurës Paraprake II e GJNP-së të hënën bëri publike urdhër-arrestet ndaj Haibatullah Akhundzada, Abdul Hakim Haqqani, Habibullah Agha dhe Neda Mohammad Nadim.
Urdhër-arrestet u lëshuan më 8 korrik dhe 9 shtator 2025.
“Përpjekjet e këtij institucioni për të përdorur mekanizmat gjyqësorë ndërkombëtarë për qëllime politike kanë ngritur shqetësime serioze lidhur me paanshmërinë dhe besueshmërinë e tij”, tha ministria duke shtuar se Kabuli “nuk ka asnjë formë bashkëpunimi apo angazhimi me këtë entitet (GJNP) dhe kategorikisht kundërshton çdo juridiksion që ai pretendon të ushtrojë mbi” Afganistanin.
“Lidhja e mëparshme e këtij institucioni me administratën e mëparshme (epokën para talebanëve), e cila u krijua nën pushtimin e huaj, nuk ka vlefshmëri ligjore për Afganistanin e pavarur të sotëm”, shtoi ajo.
Sipas GJNP-së, krimet e dyshuara kanë ndodhur nga rikthimi i talebanëve në pushtet më 15 gusht 2021 deri të paktën më 20 janar 2025.
Duke theksuar se “sovraniteti, pavarësia dhe zgjedhjet e brendshme sovrane të popullit afgan” duhet të “respektohen”, ministria tha se “Kabuli mbetet i gatshëm të angazhohet me komunitetin ndërkombëtar në mënyrë konstruktive dhe kuptimplotë, bazuar në respektin reciprok”.
“Ndërhyrja në çështjet e brendshme të vendit, imponimi i juridiksionit gjyqësor dhe çdo përpjekje për të ushtruar presion politik janë të papranueshme”, shtoi ajo.

