Kryeministri Albin Kurti ka dhënë detaje për ‘draft-vizionin’ për Asociacionin që ia ka paraqitur ndërmjetësve dhe Serbisë, në takimin e sotëm në Bruksel.
Kurti ka thënë se aty ka paraqitur kushtetutshmërinë e Kosovës, letrën e Federica Mogherinit dhe qëndrimin amerikan të shprehur nga Escobar dhe Chollet
“Në vizionin që kam prezantuar unë përveç kushtetutshmërisë e ligjshmërisë së Kosovës, kam përmendur edhe shtyllën, vlerat evropiane, përfshirë këtu edhe letrën e paraardhëses së z.Josep Borrell, zonjës Federica Mogherini, e cila më 24 gusht 2015, ish-kryeministrit të Kosovës i ka dërguar një letër që thotë nuk bën të ketë nivel të tretë të pushtetit dhe fuqi ekzekutive, por gjithashtu kam përmendur edhe shtyllën amerikane që është e prezantuar me qëndrimin e zyrtarëve të lartë të State Departamentit amerikan, Chollet dhe Escobar, të cilët e bënë të ditur në mënyrë parimore dhe programatike këtë qëndrim më datën 30 janar të këtij viti”, ka deklaruar Kurti.
“Besoj se është e qartë për të gjithë akterët se për të pasur një marrëveshje të qëndrueshme e të zbatueshme, do të duhen të merren që të gjitha këto në konsideratë”, ka deklaruar tutje ai.