RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Ç’kërkoi Netanyahu në Emirate gjatë vizitës së tij sekrete?

c’kerkoi-netanyahu-ne-emirate-gjate-vizites-se-tij-sekrete?

Nga rifillimi i luftës me Iranin tek anulimi i zgjedhjeve

Pse do të shpenzonte kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu një ditë të çmuar të fushatës, vetëm 30 ditë para zgjedhjeve që mund të përcaktojnë fatin e tij politik, për një vizitë sekrete në Abu Dhabi?

Sipas gazetës izraelite Haaretz, një pjesë e përgjigjes mund të gjendet te dalja në dritë e paralajmërimeve të shumta që Izraeli kishte marrë para sulmit të Hamasit më 7 Tetor.

Pas investigimit të fundit të saj, sipas të cilit presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed, e kishte paralajmëruar Netanyahun rreth dhjetë ditë para 7 Tetorit se Hamasi po përgatiste një operacion të madh kundër Izraelit, New York Times e konfirmoi raportimin, duke cituar një burim të informuar për bisedën me udhëheqësin emiratas.

Ndërkohë, The Atlantic dhe The Wall Street Journal raportuan se edhe Egjipti kishte dërguar paralajmërime të ngjashme. Kreu i shërbimit egjiptian të inteligjencës, Abbas Kamel, kishte udhëtuar në Izrael më 26 shtator 2023 për të përcjellë shqetësimin mbi situatën në Gaza dhe rrezikun që ajo të “shpërthente në fytyrën e të gjithëve”.

Sipas Haaretz, këto paralajmërime po marrin një peshë të re në fushatën zgjedhore, pasi refuzimi i Netanyahut për të pranuar përgjegjësi për dështimet që i paraprinë sulmit të Hamasit dhe përpjekjet e tij për të penguar një hetim të pavarur, janë kthyer në një prej temave kryesore të debatit politik.

Pikërisht për këtë arsye, takimi sekret në Abu Dhabi shkaktoi reagime të forta, veçanërisht nga opozita. Disa raportime sugjerojnë se Netanyahu mund t’i ketë kërkuar Mohammed bin Zayed të mohojë paralajmërimet e dhëna para 7 Tetorit dhe të ofrojë mbështetje politike.

Por udhëheqësi emiratas nuk doli publikisht në mbështetje të këtij versioni. Por ekziston edhe një shpjegim tjetër për vizitën e Netanyahut dhe ai lidhet drejtpërdrejt me llogaritjet e tij elektorale.

Nëse kryeministri nuk mund ta ndryshojë narrativën rreth 7 Tetorit, ai mund të përpiqet ta zëvendësojë atë me një krizë tjetër kombëtare: rifillimin e luftës me Iranin.

Sipas Haaretz, ky skenar mund të ketë terren në Abu Dhabi, ku Emiratet janë të frustruara nga ngërçi me Teheranin dhe nga politika e paparashikueshme e Donald Trumpit.

Presidenti amerikan ka kërcënuar se mund të ashpërsojë përballjen me Iranin pas zgjedhjeve të mesmandatit, por kjo është tepër vonë për Netanyahun, i cili synon zgjedhjet e 27 tetorit.

Prandaj kryeministri izraelit po përpiqet të ndryshojë narrativën politike rreth vetes, duke e zhvendosur vëmendjen nga dështimet e 7 Tetorit drejt një tjetër përballjeje kombëtare: Iranit.

Por sondazhet e zhvilluara gjatë luftës me Iranin nuk kanë ndryshuar ndjeshëm mbështetjen elektorale për Netanyahun. Pavarësisht aleancave me partitë e së djathtës ekstreme dhe përdorimit intensiv të propagandës politike, koalicioni i tij nuk ka arritur të sigurojë një shumicë qeverisëse në sondazhe.

Për Haaretz, kjo e bën vizitën në Abu Dhabi më shumë sesa një përpjekje për të menaxhuar dëmet politike të 7 Tetorit. Ajo mund të jetë pjesë e një llogarie më të gjerë: përgatitja e një skenari emergjence kombëtare që do të pezullonte fushatën dhe, potencialisht, edhe zgjedhjet.

Në fund, pyetja është nëse Mohammed bin Zayed, i cili deri tani nuk ka pranuar të mbështesë versionet që relativizojnë paralajmërimet para 7 Tetorit, do të përfshihet në një projekt me pasoja të mëdha politike për Netanyahun.

Vizita sekrete në Abu Dhabi mund të ketë qenë thjesht një përpjekje për të kontrolluar dëmet, por në sfond qëndron një tjetër mundësi: ndryshimi i vetë terrenit politik, para se izraelitët të shkojnë në kutitë e votimit. tesheshi

Related posts

Shefat e diplomacisë turke dhe jordaneze diskutojnë situatën në Palestinë

Kushtrim Guraj

“Tragjedi për botën demokratike”-Rama dënon atentatin ndaj Trump: Kjo ngjarje e tmerrshme të bashkojë njerëzit kundër të gjitha formave të dhunës

admin

Irani arreston 8 të huaj për lidhje të dyshuara me “shërbimet e inteligjencës së huaj”

Irfan Jahiu