Iniciativa “CorrWatch” ka shprehur shqetësim për mbylljen dhe mungesën e transparencës nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në proceset e rekrutimit për disa pozita kyçe.
Sipas “CorrWatch”, këto ministri po pengojnë monitorimin e proceseve për pozita si drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, sekretar të përgjithshëm në MFPT, drejtor ekzekutiv në Agjencinë e Punësimit të Republikës së Kosovës, dhe drejtor ekzekutiv në Agjencinë Qendrore të Prokurimit.
Kjo praktikë, sipas tyre, është e kundërligjshme dhe rrezikon të minojë besimin e qytetarëve në institucionet publike për shkak të ndikimeve politike dhe personale.
Ata kanë theksuar se monitorimi nga shoqëria civile është i garantuar me ligj dhe kërkojnë që ministritë të respektojnë këto garanci dhe të sigurojnë një proces të hapur dhe të drejtë.
Pjesë e Iniciativës “CorrWatch” janë Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP, dhe organizata INDEP.
The post “CorrWatch”: Ministria e Financave dhe ajo e Industrisë s’e lejuan monitorimin e disa proceseve të rekrutimit first appeared on Radio Televizioni Iliria.