RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Dashuria që ndezi alarmin e spiunazhit në bazën e NATO-s…

dashuria-qe-ndezi-alarmin-e-spiunazhit-ne-bazen-e-nato-s…

Ajo ruse dhe ai spanjoll, u njohën në Tinder në vitin 2024

Një histori dashurie e nisur në Tinder përfundoi në qendër të një hetimi për sigurinë e NATO-s. Ai ishte një oficer spanjoll i NATO-s, i vendosur në bazën e Northwood, në veriperëndim të Londrës.

Ajo, 49 vjeçe, me pasaporta britanike dhe polake, por e lindur në ish-Bashkimin Sovjetik. Kjo lidhje ngriti alarmin e sigurisë në Komandën Detare Aleate të NATO-s, MARCOM, një strukturë strategjike që monitoron aktivitetin e anijeve luftarake ruse në Detin e Veriut, përfshirë edhe të ashtuquajturën “flotë fantazmë” të përdorur nga Moska për eksportin e naftës.

Historia, e rindërtuar nga britanikja The Telegraph përmes dokumenteve gjyqësore dhe dëshmive, nisi në fund të vitit 2024. Pak pasi ishte ndarë nga gruaja, oficeri spanjoll u njoh në një aplikacion takimesh me Janina White.

Marrëdhënia u zhvillua me shpejtësi. Vetëm dy javë pas takimit të parë, të dy u zhvendosën në apartamentin e saj në Ruislip, në perëndim të Londrës. Ata hapën një llogari të përbashkët bankare dhe nisën të planifikonin jetën së bashku.

Dyshimet nisën kur Wite u ftua si shoqëruese e oficerit në një festë Krishtlindjesh në bazën e Northwood. Më 12 dhjetor 2024, ai e futi atë në mensën e nënoficerëve, pasi siguroi për të një leje ditore vizitori.

Në muajt pasues u evidentuan “probleme sigurie”, të cilat çuan në hetime nga NATO dhe verifikime nga autoritetet spanjolle. Britania e Madhe nuk mori pjesë zyrtarisht në hetim, por komandanti i Northwood u informua.

Më 19 qershor 2025, atij iu hoq karta e hyrjes në bazë në pritje të hetimeve dhe një ditë më vonë u shoqërua jashtë kompleksit. Më 29 korrik, autoritetet spanjolle ndërprenë zyrtarisht detyrën e tij në MARCOM, ndërsa gjatë verës u riatdhesua në Spanjë.

Sipas The Telegraph, më 26 gusht 2025, çifti dhe një person i tretë tentuan të hynin sërish në bazë, me sa duket për të marrë disa sende personale dhe për të ngrënë drekë.

Sipas raportit, oficeri pretendoi se kishte humbur kartën e aksesit, ndërsa White u paraqit si avokatja e tij. White i ka mohuar vazhdimisht akuzat se është spiune ruse dhe thotë se ka qenë viktimë e diskriminimit për shkak të origjinës.

Ajo ka treguar se gjatë një udhëtimi në Shën Petersburg, ku kishte shkuar për të vizituar babanë e sëmurë, ishte kontaktuar nga një burrë që i ishte prezantuar si “Andrei”, nga shërbimi rus i sigurisë FSB.

Sipas saj, ai e kishte pyetur për hetimin e sigurisë dhe marrëdhënien me oficerin spanjoll. White pranon se e dinte që partneri i saj punonte me dosje që lidhen me “flotën fantazmë” dhe nëndetëset ruse, por thotë se në shtëpi nuk flisnin për punën e tij.

Megjithatë, nuk janë gjetur prova se ajo ka qenë agjente e Kremlinit. Ajo ka ngritur një padi për diskriminim kundër Ministrisë britanike të Mbrojtjes, duke pretenduar se dyshimet ndaj saj lidhen kryesisht me vendin e lindjes.

Ndërkohë, ish-oficeri spanjoll e ka përjetuar si një goditje të rëndë largimin nga detyra. Sipas White, ai i ka përjetuar vitet e fundit “si një lebroz” dhe në shtatorin e kaluar tentoi t’i jepte fund jetës. Ajo thotë se ai ndihej i tradhtuar dhe se shteti spanjoll duhej ta kishte mbrojtur. tesheshi

Related posts

Sveçla: Sekuestrohen 20 pajisje të prodhimit të kriptovalutave në Zubin Potok

Muhamet Ramadani

Personat me ngjyrë frikësohen se zgjedhjet mund ta rritin ra’cizmin në Gjermani

admin

Huthit rifillojnë sulmet me raketa dhe dronë ndaj portit al-Makha në Jemen

Kushtrim Guraj