Muhamet Alidemaj, shqiptari i cili është akuzuar për krime lufte si pjesëmarrës në masakrën e 130 civilëve shqiptarë në Izbicës, është dënuar me 15 vjet burgim. Ai bashkë me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndanë gratë dhe fëmijët dhe dhunshëm i detyruan që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë, ndërsa burrat e mbetur i ekzekutuan me armë automatike duke i vrarë 130 persona.
Alidemaj është arrestuar më 31 mars të 2021-s, teksa po kthehej nga Serbia për në Kosovë, për herë të parë që pas luftës së viteve 1998-1999. Që atëherë ai ishte në paraburgim, ndërsa është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që i vihen në barrë.
Në fjalën përmbyllëse seancën e kaluar gjyqësore, prokurori Ilir Morina pati theksuar se gjatë gjithë procesit gjyqësor janë vërtetuar dy pika të dispozitivit të aktakuzës – ajo për vrasje dhe ajo për trajtim çnjerëzor. E për pikën 2, e cila ka të bëjë me zhvarrosjen e kufomave, Morina i pati tërhequr akuzat.
Ai pati kërkuar dënim meritor për Alidemajn, pasi kishte thënë që është dëshmuar përfshirja e tij në ndërmarrje të përbashkët kriminale.
E avokati i Alidemajt, Milosh Deleviq, pati pretenduar se 28 marsin e 1999-s, kur ndodhi masakra në Izbicë, ai nuk ka qenë në Kosovë, por ndodhej në Beograd të Serbisë.
The post Dënohet me 15 vjet burgim për pjesëmarrje në masakrën e Izbicës, Muhamet Alidemaj first appeared on Radio Televizioni Iliria.