Një dërgesë me shtëpi modulare të prodhuara në Kosovë është nisur drejt Zvicrës, duke shënuar një nga hapat e parë konkretë në zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe shteteve të EFTA-s.
Dërgesa është përcjellë të enjten nga pika doganore në Dheun e Bardhë dhe përbëhet nga shtëpi modulare të prodhuara nga kompania “Green House” nga Peja.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) hyn zyrtarisht në fuqi më 1 tetor 2026 dhe përfshin Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.
Sipas marrëveshjes, eksportuesit kosovarë të produkteve industriale do të përfitojnë nga liberalizimi i tarifave doganore, ndërsa për një numër të produkteve bujqësore parashikohen tarifa të reduktuara ose zero, si dhe kuota preferenciale, në varësi të kushteve të përcaktuara në marrëveshje.
Marrëveshja përfshin gjithashtu lehtësime për tregtinë e shërbimeve, me synimin për të krijuar mundësi të reja për bizneset kosovare dhe për të zgjeruar praninë e tyre në tregjet e vendeve të EFTA-s.
Nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) është bërë e ditur se do të vazhdohet me informimin dhe mbështetjen e bizneseve lidhur me mundësitë që ofron marrëveshja.
Sipas MINT-it, synimi është që bizneset vendore të shfrytëzojnë këto mundësi për rritjen e eksporteve, krijimin e partneriteteve të reja dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik me vendet e EFTA-s.
Dërgesa e kompanisë “Green House” drejt Zvicrës vjen në ditët e para të hyrjes në fuqi të marrëveshjes dhe përfaqëson një nga rastet e para të konkretizimit të mundësive të reja tregtare për prodhuesit kosovarë.

