Aleanca me Milein mund t’i kushtojë shtrenjtë Izraelit në marrëdhëniet me Londrën
Mbështetja e fortë e Izraelit për Argjentinën në Kupën e Botës nuk ishte vetëm çështje futbolli. Tani, pas turneut, ajo po merr një dimension të ri politik.
Disa figura pranë qeverisë së Benjamin Netanyahut po kërkojnë që Izraeli të mbështesë pretendimin argjentinas mbi Ishujt Falkland (Malvinas), një veprim që do ta fuste vendin në një përplasje të panevojshme diplomatike me Mbretërinë e Bashkuar.
Netanyahu dhe aleatët e tij, përfshirë ministrin Itamar Ben-Gvir, nuk e kanë fshehur simpatinë për Argjentinën dhe presidentin Javier Milei, një nga mbështetësit më të vendosur të Izraelit në arenën ndërkombëtare.
Finalja e Kupës së Botës e bëri zgjedhjen edhe më të lehtë. Përballë Argjentinës ishte Spanja, qeveria e së cilës ka qenë ndër kritiket më të forta të ofensivës izraelite në Gaza.
Kryeministri Pedro Sánchez ka mbështetur hapur kauzën palestineze, ndërsa ylli i kombëtares spanjolle, Lamine Yamal, ngriti flamurin palestinez gjatë një parade festive pas suksesit të ekipit.
Por polemika nuk përfundoi me futbollin. Pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale, lojtarët argjentinas shfaqën pankartën “Las Malvinas son Argentinas” (“Ishujt Malvinas janë argjentinas”), duke ringjallur një nga mosmarrëveshjet më të vjetra territoriale në botë.
Që prej atij momenti, figura të njohura pro-Netanyahu në SHBA dhe Izrael kanë kërkuar që Izraeli, madje edhe administrata Trump, të njohin sovranitetin argjentinas mbi ishujt.
Ishujt Falkland janë një territor britanik i vetëqeverisur në Atlantikun Jugor, rreth 500 kilometra larg brigjeve të Argjentinës. Buenos Airesi i konsideron pjesë të territorit të tij dhe i quan “Malvinas”.
Konflikti kulmoi në vitin 1982, kur Argjentina pushtoi ishujt. Lufta 74-ditore përfundoi me fitoren britanike, duke lënë pas 255 ushtarë britanikë dhe 649 ushtarë argjentinas të vrarë.
Megjithëse shumica e vendeve shmangin përfshirjen në këtë çështje, disa zëra pranë qeverisë izraelite po kërkojnë të ndodhë e kundërta. Djali i kryeministrit, Yair Netanyahu, vitin e kaluar deklaroi në rrjetet sociale se “Ishujt Malvinas janë pjesë e Argjentinës”.
Marc Zell, drejtues i degës izraelite të Partisë Republikane amerikane, argumentoi se Argjentina meriton mbështetje sepse ka qëndruar pa kushte në krah të SHBA-së dhe Izraelit, veçanërisht gjatë luftës me Iranin.
Sipas tij, kjo duhet të peshojë më shumë sesa pozicioni i Britanisë, të cilën ai e akuzon për mungesë mbështetjeje.
Edhe juristi konservator Eugene Kontorovich propozoi që Izraeli të njohë Malvinat si territor argjentinas, duke e paraqitur këtë si kundërpërgjigje ndaj njohjes britanike të Palestinës dhe sanksioneve të Londrës kundër kolonëve izraelitë të dhunshëm.
Këto deklarata synojnë yë godasin kryeministrin e ri britanik Andy Burnham, i cili ka kritikuar mënyrën se si Londra reagoi në fillim të luftës në Gaza dhe ka kërkuar një qasje më të ekuilibruar ndaj konfliktit.
Megjithatë, përfshirja e Izraelit në çështjen e Falklandeve do të ishte një gabim serioz diplomatik. Gjatë luftës së vitit 1982, Izraeli e furnizoi juntën ushtarake argjentinase me avionë, raketa dhe armë të tjera që u përdorën kundër forcave britanike.
Ambasada britanike në Izrael reagoi qartë, duke theksuar se sovraniteti mbi Falkland-et i përket Mbretërisë së Bashkuar dhe se në referendumin e vitit 2013, 99.8 për qind e banorëve votuan për të mbetur territor britanik.
Izraeli nuk ka asgjë për të fituar nga një përplasje e tillë. Përkundrazi, do të rrezikonte marrëdhëniet me një aleat të rëndësishëm si Britania, një fuqi bërthamore, anëtare e NATO-s dhe e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. tesheshi

