Të mërkurën në orët e pasdites, 13 persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, fajde, detyrim” si dhe janë sekuestruar mbi 50 mijë euro.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur të mërkurën rreth orës 17:50 në qytetet, Prizren, Malishevë, Suharekë dhe Prishtinë.
“Njësitë policore të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, me autorizim të Prokurorit të shtetit Prokuroria Themelore Prizren, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës, të mbështetur nga njësitë e specializuara policore kanë zbatuar urdhëresën e gjykatës dhe operacionin e koduar TOTO”, thuhet në raport.
Tutje në raport sqarohet se gjatë operacionit janë kontrolluar 19 lokacione vendbanime dhe lokale, ku disa prej të dyshuarve janë hasur duke mundësuar zhvillimin e lojërave online të bixhozit.
Ndërkaq siç bëhet e ditur në raport, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: para të gatshme 55.388 euro, 1.700 franga zvicerane, 50.000 lek, 100 dollar, 1.320 dinar serb, dy armë zjarri, 39 copë fishek, 29 telefona celularë, 1 kompjuter laptop, 2 USB, 350 pako cigare pa banderola dhe 6 vetura.
Ndryshe, policia raporton se të gjithë të dyshuarit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.