Rreth 30 mijë persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre pas valës së re të dhunës së bandave në kryeqytetin e Haitit, Port-au-Prince.
Grupet e armatosura po forcojnë kontrollin e tyre mbi qytetin, duke detyruar shumë familje të strehohen në kampe të improvizuara me pak ose aspak mbështetje humanitare.
Kombet e Bashkuara dhe Programi Botëror i Ushqimit paralajmërojnë se më shumë se gjysma e popullsisë së vendit po përballet me pasiguri të rëndë ushqimore. Sipas tyre, pothuajse gjysma e banorëve kanë nevojë urgjente për ndihmë.
Kriza ka ndikuar rëndë edhe në sistemin shëndetësor, arsimin dhe furnizimin me ujë. Deri në fund të vitit të kaluar, rreth 1.4 milionë haitianë ishin zhvendosur brenda vendit, ndërsa bandat kontrollojnë afërsisht 90 për qind të kryeqytetit.
Organizatat humanitare po bëjnë thirrje për shtimin e ndihmës ndërkombëtare për të përballuar krizën në rritje. /mesazhi

