Të paktën 38 persona kanë mbetur të vdekur shkaku i temperaturave të ulëta në Amerikën e Veriut. Zyrtarët thonë se 34 persona kanë vdekur në SHBA, ndërsa zona më e prekur është qyteti i Bufalos, në Nju Jork.
Katër vdekje janë shënuar në Kanada, ku një autobus rrëshqiti mbi rrugën e ngrirë afër qytezës Merit, në provincën perëndimore të Kolumbisë Britanike.
Një stuhi e tillë kaq e madhe nuk është regjistruar asnjëherë më parë. Ajo shtrihet nga Kanadaja deri në pjesën jugore të Rio Grandes.
Meteorologët thonë se stuhia do të dobësohet gjatë ditëve të ardhshme, mirëpo qytetarët këshillohen t’i shmangin udhëtimet përveç në raste emergjente.
Stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha, por energjia elektrike është restauruar në pjesën më të madhe të SHBA-së. Më pak se 200 mijë njerëz mbetën pa rrymë gjatë pasdites të së dielës, në krahasim me 1.7 milion që ishin në terr më parë, raporton AP.
Mijëra fluturime janë anuluar, duke ua pamundësuar kështu shumë njerëzve kthimin në shtëpi në kohë për festën e Krishtlindjes.
Mbi 55 milionë amerikanë ishin paralajmëruar edhe për erëra me ngrica të dielën. Stuhia dimërore e “ciklonit bombardues” – e cila ndodh kur presioni atmosferik bie, duke shkaktuar borë të dendur dhe erëra – ka ndërprerë udhëtimet nëpër SHBA.
Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, me origjinë nga Bufalo, tha: “Kjo do të hyjë në histori si stuhia më shkatërruese në Buffalo”.
“Është [si] të shkosh në një zonë lufte dhe veturat përgjatë rrugëve janë tronditëse”, u tha ajo gazetarëve të dielën në mbrëmje.
Banorët ende po përballen me një “situatë shumë të rrezikshme, kërcënuese për jetën” dhe kushdo që gjendet në atë zonë duhet të qëndrojë brenda, tha ajo.
Dymbëdhjetë vdekje u konfirmuan në zonën Erie, ku disa viktima u gjetën të vdekur në makina ose në dëborë.
Vdekje të lidhura me këtë stuhi u raportuan edhe në Vermont, Ohajo, Misuri, Uiskonsin, Kansas dhe Kolorado. Temperaturat në Floridën e Jugut ranë aq shumë, saqë iguanat u ngrinë dhe u rrëzuan nga pemët.
Shteti amerikan në pjesën perëndimore të vendit, Montana, ka qenë më i godituri nga të ftohtët, me temperatura që bien deri në -45 gradë celsius.
Në Kanada, provincat e Ontarios dhe Kuebekut kanë pësuar dëmet më të mëdha nga kjo stuhi.
Në Kuebek pothuajse 120.000 njerëz mbetën pa energji elektrike të dielën. Zyrtarët thonë mund të duhen disa ditë deri të lidhet sërish të gjithë shtëpitë me rrjetin elektrik.