Përplasjet e fundit mes hinduve dhe myslimanëve në Nepal kanë nxitur shqetësime për rritjen e nacionalizmit hindu dhe dhunës ndaj pakicave fetare.
Tensionet nisën në fund të korrikut në komunën rurale Dewanganj, në distriktin Sunsari, pas një mosmarrëveshjeje për zhurmën e altoparlantëve gjatë përgatitjeve për pelegrinazhin hindu Bolbam. Situata u përshkallëzua në përleshje, gjatë të cilave policia hapi zjarr, duke vrarë tre hindu dhe plagosur dhjetëra të tjerë.
Pas incidentit, dhuna u përhap në disa distrikte të rajonit Terai. Organizata nacionaliste hindu shfrytëzuan vdekjen e tre personave për të mobilizuar protesta dhe për të kërkuar që Nepali të rikthehej në statusin e një shteti hindu.
Në disa raste janë raportuar sulme ndaj xhamive dhe pronave të myslimanëve, ndërsa banorë myslimanë kanë deklaruar se janë sulmuar, ngacmuar dhe detyruar të recitojnë slogane dhe lutje hindu.
Sipas analizës, ndikimi i lëvizjes nacionaliste hindu nga India është në rritje. Disa organizata nepaleze kanë adoptuar slogane, simbole dhe retorikë të ngjashme me lëvizjen Hindutva në Indi, duke i paraqitur myslimanët dhe të krishterët si “të huaj”.
Analiza paralajmëron se tensionet e lokalizuara mund të shndërrohen shpejt në dhunë më të gjerë dhe se përsëritja e këtyre episodeve po krijon një ndjenjë pasigurie te pakica myslimane e Nepalit.
Për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm, kërkohen masa parandaluese, ndërhyrje të hershme dhe dialog ndërfetar, veçanërisht gjatë festave dhe tubimeve fetare, si dhe përgjegjësi ndaj personave që nxisin apo kryejnë dhunë. /mesazhi

