Policia izraelite është në kërkim të një personi të armatosur pas një sulmi me armë zjarri në një autobus në qytetin e vjetër të Jerusalemit, ku mbeten të plagosur të paktën tetë persona.
Një person i armatosur ka hapur zjarr në një autobus pranë qytetit të vjetër të Jerusalemit, duke plagosur të paktën tetë persona, dy prej të cilëve në gjendje kritike, sipas mjekëve dhe policisë izraelite.
Sulmi ndodhi në orët e para të së dielës, ndërsa autobusi që transportonte izraelitë priste në një parking pranë Murit Perëndimor, një vend i shenjtë lutjesh për hebrenjtë.
Sipas gazetës The Times of Israel, viktimat përfshinin një grua shtatzënë 35-vjeçare.
Aty u raportua gjithashtu për të shtëna në një parking në zonë.
Policia izraelite ishte në vendngjarje për hetime.
“Policia u informua për të shtënat në një autobus… Policia ka rrethuar vendin e ngjarjes dhe është në kërkim të një të dyshuari që u largua,” tha policia.
Forcat izraelite kanë hyrë në lagjen e afërt palestineze Silwan duke ndjekur sulmuesin e dyshuar.
Natasha Ghoneim e Al Jazeeras, duke raportuar nga Jeruzalemi Lindor i pushtuar, tha se forcat izraelite kanë bastisur shtëpitë në zonë dhe kanë kryer arrestime.
“Policia ka bastisur disa shtëpi në Silwan. Pak më parë raportohet se janë arrestuar katër persona, dy prej tyre femra dhe mund të kenë lidhje me të dyshuarin”, tha ajo.
Sulmi në Jerusalem pasoi një javë të tensionuar mes izraelit dhe luftëtarëve palestinezë në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor.
Javën e kaluar, avionët luftarakë izraelitë kryen sulme në Gaza duke synuar grupin e armatosur palestinez, Xhihadin Islamik, pasi arrestuan një nga liderët e tij në Bregun Perëndimor.
Dyzet e nëntë palestinezë, duke përfshirë 17 fëmijë dhe dy komandantë të Xhihadit Islamik, u vranë në bombardimet izraelite. Qindra palestinezë u plagosën gjithashtu.
Xhihadi Islamik u përgjigj duke gjuajtur qindra raketa në drejtim të Izraelit, por shumica e tyre u kapën. Asnjë izraelit nuk u vra apo u plagos rëndë.
Luftimet përfunduan me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Egjipti dhe garanci nga Kajro se do të punonte për lirimin e dy anëtarëve të Xhihadit Islamik të mbajtur nga Izraeli.
Grupi Hamas, i cili qeveris Gazën, qëndroi mënjanë.
Analistët thonë se armëpushimi mbetet i brishtë.
“Atmosfera është një atmosferë tensioni dhe zhgënjimi,” tha Yoni Ben-Menachem, një analist i Lindjes së Mesme me qendër në Jerusalemin Perëndimor.
“Palestinezët janë shumë të frustruar nga ajo që ndodhi në Gaza. Për ta, ishte një disfatë e Xhihadit Islamik Palestinez sepse Izraeli kreu një operacion të suksesshëm dhe ndërkohë që ka një armëpushim, tensionet janë shumë të larta sepse Xhihadi Islamik po vazhdon të kërkojë lirimin e të burgosurve të tij, “tha Ben-Menachem për Al Jazeera. /mesazhi