RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Disa qytete ukrainase sulmohen rëndë nga Rusia

disa-qytete-ukrainase-sulmohen-rende-nga-rusia

Forcat ruse goditën disa qytete në Ukrainën lindore me sulme ajrore dhe zjarr artilerie.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë së Ukrainës tha se disa qytete dhe qyteza në rajonin e Donjeckut u bombarduan rëndë.

Forcat ukrainase zmbrapsën disa sulme, tha Shtabi, derisa ushtria ruse vazhdoi përpjekjet e saj për të marrë kontrollin e Bahmutit.

Një komandant i lartë ukrainas akuzoi Moskën se përdor taktikat e “tokës së djegur”.

“Armiku kaloi në të ashtuquajturat taktika të tokës së djegur, që datojnë nga lufta e Sirisë. Ai po shkatërron ndërtesa dhe pozicione me sulme ajrore dhe zjarr artilerie”, tha gjeneralkoloneli Oleksandr Syrskyi, komandant i forcave tokësore të Ukrainës, duke folur për Bahmutin.

Ai tha se Moska po dërgon forca speciale dhe njësi ajrore për të ndihmuar ofensivën në këtë qytet, pasi anëtarët e grupit mercenar rus, Wagner, të cilët kanë udhëhequr sulmin atje, janë të lodhur.

Beteja për qytetin e vogël dhe tani gati krejtësisht të rrënuar të Bahmutit ka qenë më e përgjakshmja prej se Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar.

Të dyja palët kanë pësuar numër të madh viktimash nga luftimet në Bahmut, ndërsa Syrskyi tha se “situata është e vështirë, por e kontrollueshme”.

Kreu i pjesës së Donjeckut që kontrollohet nga Moska, Denis Pushilin, tha se forcat ruse tani mbajnë 75% të qytetit, por shtoi se është herët për të folur për rënien e Bahmutit.

Kontrolli i Bahmutit do t’i mundësonte Rusisë t’i sulmonte direkt linjat mbrojtëse të Ukrainës në Çasiv Jar dhe t’u hapte rrugë forcave të saj për të avancuar në dy qytete më të mëdha në rajonin e Donjeckut – Kramatorsk dhe Slloviansk.

Javën e kaluar, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se trupat e tij mund të tërhiqen nëse rrezikojnë të rrethohen.

Ushtria ukrainase tha se rusët, në 24 orët e fundit, sulmuan rëndë edhe qytetin Avdivka.

“Rusët e kanë kthyer Avdivkën në një gërmadhë totale”, tha Pavlo Kyrylenko, guvernator rajonal i Donjeckut, teksa përshkroi një sulm ajror që shkatërroi një ndërtesë shumëkatëshe.

“Në total, rreth 1.800 njerëz mbeten në Avdivka dhe ata rrezikojnë çdo ditë jetën e tyre”, tha ai.

Në Çasiv Jar, qytetin e parë të madh në perëndim të Bahmutit, pak ndërtesa mbeten të paprekura, po ashtu.

Derisa betejat vazhdojnë, transmetuesi amerikan CNN tha se Ukraina është detyruar t’i ndryshojë disa plane ushtarake, për shkak të rrjedhjes së dhjetëra dokumenteve sekrete në SHBA.

Dokumentet duket se përfshijnë, mes tjerash, informacione të ndjeshme në lidhje me luftën në Ukrainë.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se po përpiqen të gjurmojnë burimin e rrjedhjes së tyre.

Disa ekspertë të sigurisë kombëtare dhe zyrtarë në SHBA kanë thënë se dyshojnë se zbuluesi mund të jetë amerikan, por nuk e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes së aktorëve pro-rusë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, nuk ka pranuar ta komentojë rrjedhjen e informacioneve, por ka thënë se “ekziston një tendencë për ta fajësuar gjithmonë Rusinë për gjithçka”.

“Në përgjithësi, kjo është një sëmundje”, ka thënë Peskov.

Përgatiti: Valona Tela/rel

Related posts

Trump shpallet përgjegjës për abuzim seksual ndaj ish-kolumnistes E. Jean Carroll

rezart morina

Eksportet izraelite të armëve shënojnë rritje të ndjeshme në vitin 2021

admin

Biznesi i ardhshëm triliona dollarësh i energjisë së pastër

admin