RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Djali 5-vjeçar dhe babai i tij kthehen në Minesota pas lirimit nga ICE

djali-5-vjecar-dhe-babai-i-tij-kthehen-ne-minesota-pas-lirimit-nga-ice

Një djalë pesëvjeçar dhe babai i tij, të cilët ishin ndaluar nga Shërbimi Amerikan i Imigracionit dhe Doganave (ICE), janë kthyer në shtëpinë e tyre në Minesota pas lirimit nga një qendër ndalimi në Teksas.

Lajmin e bëri të ditur kongresmeni demokrat nga Teksasi, Joaquin Castro, i cili njoftoi se Liam Conejo Ramos dhe babai i tij, Adrian Alexander Conejo Arias, u liruan nga qendra e ndalimit në Dilley dhe udhëtuan drejt Minneapolisit. “Liam është tani në shtëpi. Me kapelën dhe çantën e tij të shpinës,” shkroi Castro.

Ndalimi i babait dhe djalit shkaktoi protesta jashtë qendrës së ndalimit dhe reagime të forta në mbarë vendin. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) deklaroi se “ICE nuk ka synuar apo arrestuar një fëmijë”.

Kthimi i tyre në Minesota erdhi pasi një gjyqtar federal, Fred Biery, miratoi një kërkesë emergjente nga avokati i familjes dhe urdhëroi lirimin e tyre të shtunën. Në vendimin e tij, gjyqtari e dënoi ndalimin, duke e cilësuar si pasojë e një politike çnjerëzore deportimesh dhe theksoi se fëmijët po traumatizohen për shkak të kuotave ditore të dëbimit.

Ndërkohë që ndodheshin ende në qendrën e ndalimit, kongresmeni Castro kishte deklaruar se djali i vogël nuk po e përballonte mirë ndarjen nga familja, shokët e klasës dhe shtëpia e tij.

Autoritetet amerikane thanë se babai dhe djali kishin hyrë ilegalisht në SHBA, ndërsa avokati i familjes theksoi se ata kishin ndjekur të gjitha procedurat ligjore për të kërkuar azil, duke u paraqitur rregullisht para autoriteteve dhe gjykatave.

Edhe kongresmenia nga Minesota, Ilhan Omar, reagoi në rrjetet sociale duke përshëndetur kthimin e tyre: “Liam është në shtëpi tani. Mirë se erdhe në shtëpi, Liam.”

Rrethana të ndryshme janë raportuar për momentin e ndalimit fillestar, përfshirë akuza nga zyrtarë shkollorë se fëmija u mbajt nga agjentët e imigracionit, gjë që u mohua nga ICE. Avokati i familjes theksoi se babai dhe djali “bënë gjithçka siç duhet” dhe nuk përbënin asnjë rrezik sigurie apo arratisjeje. /koha

Related posts

Vulini kërcënon: Atë që Perëndimi ia lejoi Kosovës, nuk mund t’ua ndalojë serbëve në Bosnjë

Muhamet Ramadani

SHBA pret që Izraeli të pranojë planin për t’i dhënë fund luftës në Gazë nëse Hamasi bie dakord

admin

Trump thotë SHBA-ja kontrollon Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve ndaj anijeve iraniane

Muhamet Ramadani