Presidenti malazez tha në një intervistë për DW se Rusia ishte përpjekur të pengonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe se konflikti në Ukrainë ka potencial të zgjerohet edhe në zona të tjera.
Presidenti malazez Milo Gjukanoviç, i cili mori pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, u shpreh në një intervistë për DW për një ndikim politik të Rusisë në Malin e Zi në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe theksoi se Rusia e ka shpallur Malin e Zi shtet armik. “Mali i Zi nuk është armik i Rusisë, Mali i Zi është armik i agresionit” – tha Gjukanoviç.
Sipas presidentit malazez lufta në Ukrainë është agresion ndaj unitetit evropian dhe sistemit evropian të vlerave.
Gjukanoviç kujtoi gjithashtu se Rusia është përpjekur dikur të pengonte anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe tha se konflikti në Ukrainë ka potencial të zgjerohet edhe në territore të tjera.
Gjukanoviç: Marrëveshja Kosovë-Serbi me rëndësi për stabilitetin e rajonit
Në një intervistën për DW presidenti malazez Milo Gjukanoviç tha se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është temë shumë e rëndësishme për stabilitetin rajonal. I pyetur se çfarë do t’u këshillonte të bënin presidentin Vuçiq dhe kryeministrit Kurti, Gjukanoviç tha: “Qëndrimi im dihet prej kohësh: nuk ka rrugë tjetër përveç marrëveshjes. Çdo ide tjetër, si ideja e mbajtjes së konfliktit të ngrirë, është në fakt në funksion të një doktrine destruktive ndaj Evropës dhe ndaj Ballkanit Perëndimor si rajon evropian. Pra kjo me siguri që nuk është rrugë, që do t’i sjellë gjëra të mira, as Serbisë, as Kosovës, as Ballkanit Perëndimor dhe as Evropës. Unë mendoj se është bërë një lëvizje me pranimin e tekstit bazë të marrëveshjes nga të dyja palët, është bërë një lëvizje. Ky është një shans që nuk duhet lëshuar. E di që në ditët në vijim në Bruksel do të vazhdojnë bisedimet për dokumentin përcjellës, planin e zbatimit. Shpresoj se edhe për këtë do të arrihet një marrëveshje. Sinqerisht dua që Serbia dhe Kosova ta nënshkruajnë marrëveshjen, sepse mendoj se kjo do të ishte e një rëndësie të pamatë për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të rajonit.
Në intervistën me DW në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, Milo Gjukanoviç foli edhe nëse do të kandidojë sërish në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, që do të zhvillohen më 19 mars, përse Mali i Zi ka predispozitën më të mirë për të qenë anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian, si dhe për zgjerimin e ndikimit kinez në Ballkan. /dw