RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Dosja e Prokurorisë: 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer në vlerë mbi 600 mijë euro nuk erdhën në Kosovë

dosja-e-prokurorise:-52.5-tone-grure,-200-mije-litra-vaj-dhe-120-mije-kg-sheqer-ne-vlere-mbi-600-mije-euro-nuk-erdhen-ne-kosove

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka gjetur se përpos procedurës së kundërligjshme që është ndjekur në blerjet e rezervave shtetërore ka edhe shkelje të tjera pasi malli i paguar s’ka mbërritur në Kosovë.

Kështu, sipas dosjes së Prokurorisë të cilën e publikon “Betimi për Drejtësi”, pavarësisht se janë paguar paratë te kompanitë turke e polake për grurë, vaj e sheqer në Kosovë nuk kanë ardhur kurrë 200 mijë litra vaj, 120 mijë kg sheqer dhe 52.5 tonë grurë.

Vlera e këtij malli që nuk ka mbërritur në Kosovë sipas Prokurorisë është mbi 600 mijë euro.

Në dosjen e Prokurorisë, thuhet se biznesmeni Ridvan Muharremi ishte personi kyç që kishte zhvilluar negociatat me operatorët ekonomikë për blerjen e grurit, vajit e sheqerit.

Muharremi ndihmoi dy zyrtarët e MINT të shkelnin ligjin

Ridvan Muharremi ngarkohet se në mënyrë të kundërligjshme kishte ndihmuar Irfan Lipovicës dhe Haviz Garës iu kishte krijuar kushte për negocimin me kompanitë turke e polake për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit.

Sipas Prokurorisë, Muharremi ishte personi kyç për t’i negociuar kushtet e kontratave me operatorët ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Muharremi kishte negociuar blerjen e 10 mijë tonë grurë nga Turqia me çmim prej 4 milionë 834 mijë e 778 euro.

Sipas Prokurorisë, Muharremi me këto kompani kishte pasur edhe më herët raporte kontraktuale dhe biznesore.

Muharremi ishte përfshirë ne negocimin e blerjes edhe të vajit dhe sheqerit nga Polonia në vlerë prej 276 mijë euro, por që as vaji dhe as sheqeri nuk ka mbërritur në Kosovë.

Prokuroria e ngarkon Muharremin se ka kryer veprën penale “dhënie e ndihmës në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

Prokuroria në arsyetimin e nisjes së hetimeve për keqpërdorime të rezervës shtetërore paralajmëron se në ditët në vazhdim do t’i identifikojë edhe personat tjerë që do të ndiqen sipas detyrës zyrtare.

“Është i pakontestueshëm fakti se e tërë procedura e blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të Kosovës për vitin 2022 është zbatuar në kundërshtim me ligjin dhe procedurat”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”.

Lipovica kundërligjshëm kërkoi nga Qeveria anashkalimin e procedura të prokurimit per blerjen e rezervave

Irfan Lipovica dyshohet se nga muaj në cilësinë e Zëvendësekretarit në MINT ka tejkaluar autorizimet ligjore duke kërkuar nga Qeveria anashkalimin e procedurave ligjore të prokurimit publik për blerjen e rezervave shtetërore.

Prokuroria dyshon se Lipovica bëri këtë kërkesë për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.

Sipas Prokurorisë, vendimi i Qeverisë i 22 shkurtit 2022, ishte marrë duke pas për bazë kërkesën e kundërligjshme të Lipovicës për anashkalimin e procedurave ligjore për blerjen e rezervave.

Lipovica ngarkohet se në mënyrë të kundërligjshme ka formuar edhe një Komision për Negocimin e Kontratave për Furnizim me Mallra të Rezervës Shtetërore për vitin 2022 me të cilin ka anashkaluar procedurën e hapur të prokurimit publik.

Megjithëse komisioni ishte formuar kundërligjshëm, Prokuroria e ngarkon Lipovicën se kishte anashkaluar dy anëtarët e Komisionit dhe e kishte përfshirë Ridvan Muharremin në rolin e ndërmjetësuesit mes Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë nga Turqia për blerjen e grurit.

Sipas Prokurorisë, pavarësisht se pagesat ishin bërë 100 për qind me operatorët ekonomikë nga Turqia e Polonia, gruri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Porosia prej 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer nuk kanë ardhur fare pavarësisht se pagesat ishin bërë avans.

Ndërsa për gjithë grurin e kontraktuar ishin paguar 4 milion e 834 mijë e 778 euro derisa në Kosovë nuk kanë mbërritur 52.5 tonë grurë.

“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria.

Lipovica ngarkohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga neni 414 i Kodit Penal.

Gara kërkoi kundërligjshëm anashkalimin e procedurave të prokurimit

Sikurse Lipovica, edhe Haviz Gara ngarkohet se si Drejtor i Departamentit të Rezervës Shtetërore, ka tejkaluar autorizimet ligjore dhe ka kundërligjshëm ka kërkuar përmes kërkesës nga i pandehuri Lipovica që të anashkalohen procedurat e prokurimit për blerjen e mallrave për rezervat shtetërore.

Sikurse Lipovica, edhe Gara dyshohet se kërkesën për anashkalimin e procedurave të prokurimit e ka bërë për të kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit.

Gara ngarkohet se i kishte anashkaluar anëtarët e Komisionit dhe kishte lejuar Ridvan Muharremin të luante rolin e ndërmjetësuesit të Ministrisë dhe Operatorëve Ekonomikë për blerjen e rezervave shtetërore me operatorët në Turqi e Poloni.

Porosia prej 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kg sheqer me çmim prej 276 mijë euro nuk kanë ardhur fare pavarësisht se pagesat ishin bërë avans.

“Pavarësisht se pagesa në formë të avansit është realizuar në tërësi, në Kosovë, si vend i destinimit, janë sjell vetëm 9.947.5 tonë grurë ose 52.5 tonë më pak se sasia e kontraktuar. Ndërsa, lloji vaji dhe sheqeri nuk janë sjell fare. Si rezultat i këtyre veprimeve është dëmtuar interesi publik në lartësi prej 601 mijë e 940 euro”, ka konstatuar Prokuroria./Betimi për Drejtësi

Related posts

Anulimi i vendimit që ndalon importin e mallrave serbe, “kusht” shtesë për heqjen e masave të BE-së

admin

Një korridor i ri ekonomik planifikohet të lidhë Turqinë me Gjirin përmes Irakut

admin

Escobar: Asociacioni do të bëhet

admin