RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Dosja e Prokurorisë ndaj 12 zyrtarëve policorë dhe dy doganierëve të akuzuar për ryshfet

dosja-e-prokurorise-ndaj-12-zyrtareve-policore-dhe-dy-doganiereve-te-akuzuar-per-ryshfet

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 26 dhjetor 2023, ka ngritur aktakuzë kundër 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikëqyrje të Kufirit Qafë Prush dhe dy zyrtarëve doganorë, të cilët ngarkohen për “Marrje ryshfeti”.

12 zyrtarët policorë të akuzuar në këtë rast janë: Artan Thaqi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Përolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi dhe Uran Mati si dhe dy doganierët Enis Turtulla Senad Zherka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se nga muaji gusht deri në dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare Qafë Prush, të akuzuarit e lartpërmendur në cilësi të personave zyrtarë kanë bashkëvepruar me njëri tjetrin duke marrë ryshfet shuma të ndryshme parash.

Sipas akuzës, të akuzuarit-zyrtarët policorë u kishin mundësuar qytetarëve hyrje-daljen në pikën kufitare të lartcekur pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore në fuqi në kundërshtim me kushtet për hyrjen në Kosovë që lidheshin me masat kundër Pandemisë Covid-19.

Ndërsa, dy doganierët Zherka dhe Trutulla me qëllim të përftimit të kundërligjshëm kishin vepruar në kundërshtim me Kodin Doganor dhe Akcizave të Kosovës, duke lejuar hyrjen mallrave të ndryshme pa iu nënshtruar mbikëqyrjes doganore.

Me këto veprime 14 të akuzuarit po ngarkohen se kanë kryer veprën penale në vazhdim “Marrje Ryshfeti” në bashkëkryerje nga neni 421 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 paragrafi 1, paragrafi 1.2, 1.3, 1.4, 1.5 dhe paragrafi 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Çka kishin deklaruar të akuzuarit gjatë mbrojtjes së tyre në IPK dhe Prokurori?

I akuzuari Artan Thaqi, në mbrojtjen e tij në IPK ishte mbrojtur në heshtje, por përmes mbrojtësit të tij i njëjti ka parashtruar kërkesë për fillimin e negocimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Të drejtën e tij për tu mbrojtur në heshtje ne IPK e kishte shfrytëzuar edhe i akuzuari Afrim Deda, ndërsa i njëjti në Prokurori pas ballafaqimit me video-incizimet ka deklaruar se asnjëherë nuk ka marrë mjete materiale dhe nuk ka qenë prezent ndonjëherë kur koleget e tij kanë pranuar mjete materiale. Po ashtu ai kishte deklaruar se nuk ka ndarë mjete të përfituara nga ryshfeti me askënd.

Deda kishte thënë se nuk i kujtohet që Haki Bajrami t’ia ketë dhënë shumën prej 20 euro për mos tu regjistruar në databazë e as nuk i kujtohet që Sami Hajdarit t’ia ketë ofruar dikush shumën prej 400 euro. Në fund ai kishte kërkuar nga Prokuroria që të caktojë një seancë dhe të filloj negociatat për marrëveshje për pranim të fajësisë.

Në IPK në heshtje ishte mbrojtur edhe i akuzuari Benon Këpucka, ndërsa në Prokurori ai kishte deklaruar se “nuk i kujtohet saktë por e di se një koleg më ka pyetur se a mund ta liroj që ta kaloj kufirin dikënd me një sasi bimë mjekësore, atë ditë kam qenë në ndërrim së bashku me Agron Bejtullahun dhe Artan Thaqin dhe pasi ka ardhur ky mall në Pikën Kufitare unë as nuk e kam kontrolluar dhe as nuk e kam pasur detyrë”.

I njëjti kishte deklaruar se kishte pasur pak dyshime lidhur me ato bimë mjekësore dhe se në rastin konkret nuk i kujtohej se a është njoftuar Dogana.

“…ndërsa lidhur me shumën prej 300 euro nuk më kujtohet të kem biseduar më dikë”, kishte thënë Këpucka në Prokurori.

Pas ballafaqimit me video-incizimet ai ka pohuar se në ato video-incizime është ai, Artani dhe Agroni dhe se është e vërtetë se ka biseduar për çmim, por kishte mohuar se ka marrë para nga personi që shihet në video-incizim.

Ndërsa, lidhur me arsyen për ofrimin e shumës prej 300 euro nga personi që bartë “bimë mjekësore”, Këpucka kishte deklaruar se “nuk e di për çka i ka ofruar ato 300 euro, por se i njëjti vetëm ka fol për këtë shumë por nuk na i ka ofruar, nuk ka qenë e nevojshme që të arrestohet”.

I akuzuari Isa Ibrahimi në IPK ishte mbrojtur në heshtje, kurse në Prokurori pas ballafaqimit me video-incizimet ka deklaruar se “asnjë nga këto video-incizime nuk më kujtohen ngjarjet, por është e vërtetë se unë jam në këto video-incizime”.

Edhe i akuzuari Malë Berisha në IPK ishte mbrojtur në heshtje, ndërsa në Prokurori i njëjti kishte mohuar në tërësi kryerjen e veprës penale, por pas ballafaqimit me video-incizimet ai kishte deklaruar “nuk më kujtohet që kemi marrë ndonjëherë mjete materiale nga qytetarët që kanë kaluar në atë pikë kufitare”.

I akuzuari Mehmet Manxhuka, në IPK ishte mbrojtur në heshtje, kurse në mbrojtjen e tij të dhënë në Prokurori kishte mohuar në tërësi kryerjen e veprës penale. I njëjti pas ballafaqimit me video-incizimet ku shihet se nga qytetarët ka pranuar mjete materiale në shuma të ndryshme ai kishte thënë se “është e vërtetë që unë jam në këto video-incizime, por nga qytetarët kam pranuar çamçakëza, vizitë-karta apo diçka të ngjashme”.

Të drejtën për tu mbrojtur në heshtje në IPK e kishte shfrytëzuar edhe i akuzuari Sami Hajdari, ndërkaq në Prokurori i njëjti kishte mohuar se e ka kryer veprën penale për të cilën është zhvilluar hetimi.

Pas shikimit të video-incizimit, në prezencën e mbrojtësit të tij kishte deklaruar se sa i përket bisedës që dëgjohet bëhet fjalë për 400 lek për furgon të policisë që ishte prishur dhe e kishin ndrequr.

Ndërsa, pas shikimit të video-incizimit tjetër, Hajdari kishte deklaruar se bëhet fjalë për një person që ka pasur një sasi shumë të vogël të kërpudhave dhe i njëjti i kishte thënë se nëse e ndal dikush të tregoj se vetëm transport është duke bërë.

E për bisedën që ndërlidhet me Afrim Deda dhe Altin Dulaj, ku bëhej fjalë për 60 arka me kërpudha në këmbim të shumës prej 50 euro i akuzuari Hajdari kishte deklaruar se nuk i kujtohet fare.

Edhe i akuzuari Enis Tortulla në IPK ishte mbrojtur në heshtje, ndërsa në Prokurori ai kishte treguar se gjatë orarit të punës në Pikën Kufitare nuk ka vend të destinuar për doganierët pasi që nuk ka hapësira, por si doganierë qëndrojnë në linjën ku kalojnë automjetet.

“Ndërsa sa i përket kabinave ku qëndrojnë zyrtarët policorë mohoj në tërësi që të kem shkuar ndonjëherë në ato kabina sepse puna ime nuk lidhet me kabinë por nuk mund të jap garancion 100% se kurrë nuk e kam futur këmben në atë kabinë, por jam i sigurt se asnjëherë nuk kam hyrë në kuadër të detyrës time zyrtare dhe asnjëherë për ndonjë veprim të kundërligjshëm për të cilin pandehem”, kishte deklaruar Torulla.

Ai kishte mohuar se në video-incizime shihet ai dhe në tërësi ka mohuar veprat penale për të cilat ngarkohet.

Në IPK në heshtje ishte mbrojtur edhe i akuzuari Senad Zherka, ndërsa në Prokurori kishte deklaruar se nuk ka përgjigje lidhur me video incizimet që i janë dhënë në shikim.

Ndërsa, të akuzuarit Agron Bejtullahu, Avdi Përolli, Kreshnik Arllati, Shaqir Krasniqi dhe Uran Murati ishin mbrojtur në heshtje edhe në IPK edhe në Prokurori.

Ndryshe, PSRK ka ngritur aktakuzë edhe ndaj 23 zyrtarëve policorë, të cilët ngarkohen për korrupsion të kryer në pikën kufitarë Qafë-Morinë./BetimipërDrejtësi

Related posts

Ministri Osmani për vizitë në Serbi, takon homologun e tij serb, Daçiq

admin

Ish-kryeministri i Pakistanit Imran Khan, transferohet në një burg të ri

rezart morina

Akulli i detit Antarktik në nivelin më të ulët ndonjëherë

admin