Dr. Hussam Abu Safiya, drejtori i arrestuar i spitalit “Kamal Adwan” në Gaza, është nominuar për Çmimin “Sakharov” të Parlamentit Evropian për Lirinë e Mendimit 2026, transmeton Anadolu.
Parlamenti Evropian njoftoi se Abu Safiya u nominua nga grupet politike Të Gjelbrit dhe E Majta si një nga gjashtë kandidatët për çmimin vjetor, i cili u jepet individëve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut dhe liritë themelore.
Abu Safiya, pediatër palestinez dhe ish-drejtor i spitalit “Kamal Adwan” në veri të Gazës, ndodhet në paraburgim izraelit që nga arrestimi i tij nga forcat izraelite në dhjetor 2024.
Ai është mbajtur pa akuzë apo gjyq, ndërsa Izraeli pretendon se Abu Safiya është i lidhur me Hamasin, pretendim që është mohuar nga avokatët dhe familja e tij.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë shprehur gjithashtu shqetësime lidhur me gjendjen e tij shëndetësore dhe trajtimin gjatë ndalimit.
Komisionet e Parlamentit për Punët e Jashtme dhe Zhvillimin pritet të votojnë për një listë të ngushtë prej tre të nominuarish më 19 tetor në Strasburg ndërsa fituesi i çmimit pritet të përzgjidhet më 22 tetor.
Të nominuarit e tjerë për Çmimin “Sakharov 2026” janë presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, i nominuar nga grupi Evropa e Kombeve Sovrane; Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe zyrtarët e saj, të nominuar nga Socialistët dhe Demokratët; si dhe figura e opozitës në Tanzani, Tundu Lissu, i nominuar nga Partia Popullore Evropiane dhe Konservatorët dhe Reformistët Evropianë.
Të nominuarit e tjerë janë aktivistet iraniane Taraneh dhe Romina Rahimi, të nominuara nga Patriotët për Evropën, si dhe Standing Together, një lëvizje bazë izraelito-hebreje dhe palestineze, e nominuar nga Renew Europe.

