RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Droni izraelit ndjek dhe vret 4 civilë palestinezë në Khan Younis

droni-izraelit-ndjek-dhe-vret-4-civile-palestineze-ne-khan-younis

Një dron ushtarak izraelit shënjestroi dhe vrau katër civilë palestinezë me raketa në zonën Al-Sekka në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, transmeton Anadolu.

Siç transmeton Al Jazeera, e cila mbrëmë ka shpërndarë një video, skenat u kapën nga një dron izraelit në Khan Younis në muajin shkurt, duke treguar ndjekjen e katër të rinjve palestinezë dhe shënjestrimin e tyre me disa raketa.

Dy prej tyre u vranë me raketën e parë, pastaj i treti dhe i katërti u vranë me dy raketa të tjera.

Pamjet tregojnë të rinjtë duke kërkuar për shtëpitë e tyre ose për atë çfarë ka mbetur nga ato mes rrënojave në një rrugë të pastruar nga automjetet e ushtrisë para se të tërhiqeshin nga zona.

Nga pamjet duket qartë se katër civilët nuk mbanin armë dhe nuk përbënin asnjë kërcënim.

Pasi dy të rinjtë u vranë në goditjen e parë, djali i tretë u pa duke u larguar nga vendi i shënjestruar, por droni e ndoqi dhe e bombardoi.

Mbrëmë, Zyra për media e qeverisë në Gaza e konsideroi vrasjen e katër civilëve nga droni izraelit si dëshmi e një “krize të thellë brenda pushtimit izraelit”.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë krim në të cilën ushtria pushtuese bombardoi katër të rinj civilë me dron duke i vrarë në mënyrë hakmarrëse dhe duke i kthyer në mbetje të shpërndara si dhe duke treguar përmasat e krizës së thellë që po kalon ky pushtim duke vrarë në këtë mënyrë monstruoze”, tha Zyra për media.

Zyra për media theksoi se “administrata amerikane, komuniteti ndërkombëtar dhe pushtimi izraelit” mbajnë përgjegjësi të plotë për vazhdimin e këtyre krimeve kundër civilëve palestinezë për muajin e gjashtë radhazi që nga 7 tetori i vitit të kaluar.

Në reagimin e Zyrës për media po ashtu konsiderohen “vendet që furnizojnë pushtimin me armë të ndryshme përgjegjëse për krimet e vrasjeve kundër civilëve, fëmijëve dhe grave”.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Rreth 32 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Gaza dhe rreth 74.200 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Related posts

Dritan Abazoviç: Negociatat për formimin e një qeverie të re, jo realiste

admin

Ushtarët izraelitë arrestojnë 40 palestinezë në Bregun Perëndimor

admin

Kosova ngriti aktakuzën për sulmin në Banjskë, reagon DASH: Të respektohet procesi gjyqësor!

admin