Lidhja Demokratike e Kosovës e ka refuzuar takimin konsultativ të thirrur për të martën (18 gusht) me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Lajmi konfirmohet nga burime të sigurta të Tëvë1 pranë kësaj partie.
Krahas LDK-së, takimin e thirrur nga Haxhiu e kanë refuzuar edhe Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.
PDK dhe Aleanca kërkojnë vazhdimin e seancës konstituive të parlamentit dhe akuzojnë Lëvizjen Vetëvendosje se qëllimisht po e zvarrit bllokadën institucionale për ta çuar, siç thonë, vendin sërish në zgjedhje.
Haxhiu i ka ftuar udhëheqësit e partive politike për takim konsultativ.
Takimi, sipas thirrjes së Haxhiut, do të mbahet në lidhje me zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për presidentin konsensual, e edhe për formimin e institucioneve të tjera.
Haxhiu ditë më parë, ka shprehur keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat për takimin të martën.
“Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK-ja dhe Aleanca refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese. Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë. Qytetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë. Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion. Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

