RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Edi Rama për Edi Ramën: “Servil me të huajt, xhambaz ndaj të vetëve”

edi-rama-per-edi-ramen:-“servil-me-te-huajt,-xhambaz-ndaj-te-veteve”

Katandisja dhe vetë në atë që thoshte dikur për politikanët shqiptarë

Shprehja e mësipërme, siç mund të kuptohet, ka për autorësi Edi Ramën, në kohën kur nuk ishte personazh politik dhe, nga pozita komode kritizieri të gjithçkaje shqiptare, shpotiste rëndë gjithashtu dhe politikën.

Më saktë, ishin vitet ’90, koha kur e bënte copa Berishën e parë me gjuhën e tij shpatë, por tashmë Zoti po ia kthen në boomerang të gjithë atë lloj gjuhe, atë lloj kriticizmi, përplot mburrje cinike.

Dje, ai vërtetoi xhambazllëkun e tij me të tijtë, siç e ka të provuar tashmë, në një kohë që me të huajt, ata me pushtet, shpërfaq një servilizëm e lëpirje të pështirë. Veçojnë këtu përulja e tij ndaj Izraelit, aty ku jo vetëm po tregohet burrec, por që po shfaq dhe shenja të qarta të tradhëtisë kombëtare.

Ç’ndodhi dje? Ajo që u shfaq në tryezën katërorëshe të kryeministrit me kryebashkiakët e majtë nuk ishte thjesht një debat teknik mbi hartën e re të reformës territoriale, por një shpërthim i papërmbajtur i atij xhambazllëku që ai vetë dikur e stigmatizonte te të tjerët.

Mbledhja u shndërrua në një seancë gjyqi stalinist, ku Rama shfrytëzoi gjithë arsenalin e arrogancës dhe fyerjeve ndaj katër prej drejtuesve vendorë të bashkive që parashikohen të fshihen nga harta: Poliçanit, Dimalit, Selenicës dhe Divjakës.

Kur kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj -i cili publikisht ka kundërshtuar shkrirjen e bashkisë për shkak të zhveshjes së komunitetit nga shërbimet bazë – i kërkoi llogari për mosmirënjohjen e Partisë Socialiste ndaj qytetarëve, Rama nuk ofroi asnjë argument politik.

Përgjigjja e tij ishte kamxhiku i fyerjeve, duke e quajtur “akt paturpësie” reagimin e poliçanasve me djegien edhe të teserave të PS, dhe duke e përjashtuar me arrogancë nga salla me pretendimin se “ti nuk duhet të ishe fare këtu”.

I njëjti skenar fashistoid u përsërit me kryetaren e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj. Kur ajo guxoi t’i përplaste në fytrë të vërtetën se, nga mungesa e kompetencave pas reformës së kaluar, kryebashkiakët janë katandisur “si punëtorë komunaleje”, kryeministri e humbi toruan. Duke e ironizuar me përbuzje si “udhëheqëse e madhe”, ai e nxori jashtë dyerve të mbledhjes si një vartëse të pabindur që ka guxuar të ngrejë zërin përballë “mësuesit”.

Por revolta nuk mbylli gojën vetëm me kaq. Edhe kryebashkiakët e Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bello dhe Josif Gorrea, u dolën zot komuniteteve të tyre, duke denoncuar hapur standardet e dyfishta të qeverisë.

Ata ngritën pyetjen e dhimbshme se pse njësi vendore me tregues shumë më të ulët performance, si Peqini, Vau i Dejës apo Roskoveci, shpëtojnë pa u prekur, ndërsa të tjerët fshihen me një të rënë lapsit në Tiranë.

Përballë këtij ballafaqimi me të vërtetën, Rama zgjodhi metodën e tij të zakonshme: akuzën se drejtuesit vendorë po nxisin popullin kundër partisë. Përplasja e djeshme në Kuç nuk është thjesht një episod periferik, por sinjali i parë se heshtja e imponuar brenda piramidës së pushtetit ka nisur të çahet.

Pushteti i centralizuar i Edi Ramës, është ndërtuar mbi një premisë të thjeshtë: qendra vendos, struktura lokale kuis në heshtje dhe zbaton. Kryebashkiaku nuk shihet si përfaqësues i qytetarëve, por si një ushtar i bindur.

Por kur kjo lloj qeverisjeje kërkon të fshijë me një të rënë të lapsit komunitete të tëra pa dhënë asnjë shpjegim ekonomik apo administrativ – duke lënë pas vetëm dyshime për një pazar politike dhe kontroll territorial – fillojnë të këputen litarët e frikës.

Pyetjet që ngrenë qytetarët dhe vetë administrata lokale janë brutale në thjeshtësinë e tyre: Nëse reforma e parë e vitit 2014 ishte gjoja ilaçi magjik i efiçencës dhe kostove të ulëta, pse duhet një e dytë sot? Nëse e para dështoi, kush mban përgjegjësi? Si mendohet të ndalet shpopullimi duke zmadhuar hartat dhe duke i larguar shërbimet edhe më larg qytetarit?

Qeveria mund të ndryshojë kufijtë në letër dhe të fshijë emra bashkish në ekranet e kompjuterëve, por s’mund të zhdukë dot zemëratën në terren. Ajo mund të urdhërojë strukturat, por nuk mund t’u mbyllë gojën përgjithmonë njerëzve që shohin se si shteti po tkurret në një zyrë të vetme në Tiranë.

Këtu qëndron edhe rreziku më i madh për pushtetin e Ramës. Një diktaturë e butë apo një autokraci e maskuar funksionon derisa njerëzit të kenë frikë. Por frika mban njerëzit në rresht vetëm derisa dikush të guxojë të dalë prej tij.

Në Kuç, dy vetë dolën prej tij. Tani mbetet për t’u parë nëse ky ishte thjesht një hap i izoluar jashtë rreshtit, apo prologu i një revolte që ka nisur të trokasë nga brenda vetë mureve të partisë-shtet. tesheshi

Related posts

Dëshmitari thotë se serbi i akuzuar ishte në krye të paramilitarëve që kishin kryer krime lufte

Muhamet Ramadani

Ben-Gvir zgjeron të drejtën për leje armësh për hebrenjtë në Jerusalem

Hevzi

Macron premton përgjigje shteruese për trazirat

admin